Ky është Armand Shakaj, 41-vjeçari i dyshuar për vrasjen e Eglant Koçit, 34-vjeçarit nga Tirana, i cili rezulton i zhdukur prej datës 4 qershor.
Hetimet e deritanishme kanë ngritur dyshime të forta se i riu mund të jetë marrë peng, ndërsa policia ka shpallur në kërkim si autor të dyshuar 41-vjeçarin Armand Shakaj.
Familjarët denoncuan zhdukjen e Koçit më 5 qershor, pasi humbën kontaktet me të. Në kuadër të hetimeve, policia ka arrestuar 25-vjeçarin Enea Zyferi, i cili dyshohet se ka ndihmuar Shakajn në këtë ngjarje. Zyferi punonte si kamerier në një lokal në pronësi të 41-vjeçarit të shpallur në kërkim.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se është gjetur motori i 34-vjeçarit, si dhe ambienti ku dyshohet se ai është mbajtur peng. Për arsye hetimore, autoritetet nuk kanë bërë publike vendndodhjen e këtij ambienti.

Policia ka njoftuar se ka kryer kontrolle të imtësishme në ambientin ku dyshohet se është mbajtur i riu, si dhe në disa vende të tjera, por pa rezultat. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se i dyshuari ka lëvizur motorin e Koçit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht. Mjeti u gjet dy ditë më parë në rrugën “5 Maji” në Tiranë.

