Radio Televizioni Shqiptar, vijon të mbetet pa një drejtues që prej muajit shtator të vitit 2024 kur Alfred Peza dha dorëheqjen pas publikimit të skandalit me mesazhe ngacmuese ndaj gazetares Blerta Tafani.
Ditën e sotme në këshillin drejtues të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, nuk u arrit një konsensus që njëri prej kandidatëve të merrte 7 votat që do e caktonin në krye të postit.
Më e votuara rezultoi moderatorja dhe gazetarja e njohur Eni Vasili e cila arriti të siguronte 5 vota. Të tjerët u renditën si më poshtë:
Xhoi Jakaj-2 vota
Ëngjëll Musai-2 vota
Ermal Hoxha- 1 votë
Flamur Buçpapaj-1 votë.
Në këto kushte do të ketë një rivotim ditën e premte për t'i dhënë fund vakancës së kreut të televizionit publik. Institucioni u përfshi nga debate të thella për garën e zhvilluar javë më parë, ku mes kandidatëve u kualifikua edhe Aurora Polo, drejtuesja në detyrë e cila nuk kishte asnjë eksperiencë në media. Për këtë çështje në komisionin për median dhanë llogari kreu i këshillit, Leka Bungo i cili e kundërshtonte si dhe anëtarët e këshillit të cilët e kishin votuar. Si pasojë, Kuvendi shkriu të gjithë këshillin për të zgjedhur anëtarë të rinj. Versus.al








