AKTUALITET /

Goditet rrjeti kriminal në Kosovë, Europol sekuestron 80 milionë euro

Hetimi është bazuar edhe në mesazhe të shkëmbyera në platformën e komunikimit të koduar SKY ECC

Shkruar nga Versus

Goditet rrjeti kriminal në Kosovë, Europol sekuestron 80 milionë

Një rrjet i dyshuar i krimit të organizuar me bazë në Kosovë është goditur pas një hetimi trevjeçar ndërkombëtar, i zhvilluar me mbështetjen e Europolit, që ka zbuluar veprimtari të gjerë në trafikun e drogës, pastrimin e parave, falsifikimin e dokumenteve dhe armëmbajtjen pa leje.

Operacioni përfundoi më 9 qershor me një aksion të koordinuar në Kosovë, ku autoritetet arrestuan pesë persona të dyshuar si pjesë e grupit kriminal. Në terren u angazhuan rreth 150 oficerë policie, të mbështetur nga ekspertë të Europolit.

Hetimi është bazuar edhe në mesazhe të shkëmbyera në platformën e komunikimit të koduar SKY ECC, të cilat dyshohet se janë përdorur nga grupi për të koordinuar aktivitetet kriminale në disa vende të Evropës.

Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë hetuar 42 persona, janë kontrolluar 76 ambiente dhe janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 80 milionë euro.

Grupi dyshohet se kishte qendër operative në Kosovë, nga ku organizoheshin dërgesa ndërkombëtare të drogës dhe skema të pastrimit të parave në disa shtete europiane.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim mes autoriteteve të Belgjikës, Francës, Holandës dhe Kosovës, nën koordinimin e Europolit, duke përfshirë edhe shkëmbim informacioni në kohë reale gjatë aksionit.

Autoritetet theksojnë se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe analizimi i komunikimeve të koduara mbeten vendimtarë në luftën kundër rrjeteve të krimit të organizuar që veprojnë në disa shtete njëkohësisht.

Poll