AKTUALITET /

Krimi shqiptar në Itali: Dy “bosët” e drogës marrin dënime të rënda nga gjykata

Në të njëjtën kohë, Ermal Arapaj, i njohur si “Ufo”, një tjetër emër i rëndësishëm në botën e errët të krimit shqiptar në Itali, u dënua me 10 vite burg, pas një uljeje prej 6 vitesh nga dënimi fillestar prej 16 vitesh.

Shkruar nga Versus

 

Krimi shqiptar në Itali: Dy “bosët” e drogës marrin

Dy figura të njohura të krimit të organizuar shqiptar në Itali, Elvis Demçe dhe Ermal Arapaj, janë dënuar nga drejtësia italiane me burg për trafik droge dhe përfshirje në një luftë të përgjakshme për territore kriminale.

Elvis Demçe, i njohur me nofkën “Zoti i drogës”, është dënuar me 15 vite burg, pasi fillimisht u dënua me 18 vite, por përfitoi ulje dënimi me 3 vite nga Gjykata e Kasacionit përmes procedurës së shkurtuar. Demçe ishte një ndër figurat kyçe të trafikut të drogës në zonat e Romës, Acilias dhe Velletrit, ku organizata e tij kishte krijuar rrjete të fuqishme shpërndarjeje. Ai është përfolur për lidhje me grupin famëkeq italian Camorra, dhe në një deklaratë tronditëse e kishte cilësuar veten “Unë jam Zoti”.

Në të njëjtën kohë, Ermal Arapaj, i njohur si “Ufo”, një tjetër emër i rëndësishëm në botën e errët të krimit shqiptar në Itali, u dënua me 10 vite burg, pas një uljeje prej 6 vitesh nga dënimi fillestar prej 16 vitesh. Dikur mik i ngushtë i Demçes, Arapaj u shndërrua në rival të tij, duke tentuar të marrë nën kontroll territoret e trafikimit gjatë periudhave kur Demçe ishte në burg.

Përplasja mes dy bandave rivale është dokumentuar nga një sërë ngjarjesh të dhunshme, përfshirë një pritë ndaj Arapajt nga bashkëpunëtorët e Demçes në korrik 2020, si dhe një zjarr të dyshimtë në një vilë të tij në Velletri më 5 shtator të vitit të kaluar. Këto episode janë pjesë e një lufte të ashpër për dominim në tregun e drogës.

Hetimet u drejtuan nga prokurorët italianë Mario Palazzi dhe Francesco Cascini, ku ky i fundit u bë objektiv i një atentati të planifikuar nga vetë Demçe. Pavarësisht kërcënimeve dhe vështirësive, autoritetet italiane arritën të çmontojnë organizatat kriminale dhe të çojnë para drejtësisë dy nga figurat më të rrezikshme të trafikut të drogës. /Versus.al/

Poll