Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i është drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke i kërkuar që të vendosë për rinumërimin me postë për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.
Blerim Sallahu nga LVV-ja pretendoi se në votimin me postë ka pasur manipulime dhe keqpërdorime, që sipas tij, janë orkestruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
“Ne kemi kërkuar nga PZAP-ja që fillimisht të anulohen 18.933 vota të LDK-së të kontaminuara, të ardhura në formë të manipuluar. Nën dy, kemi kërkuar rivotim me postë dhe nën tre kemi kërkuar që kandidatët të cilët kanë marrë vota pakrahasimisht më shumë me postë sesa në vendvotime në Kosovë, të largohen nga lista dhe të njëjtit të mos zëvendësohen me anëtarë të tjerë të LDK-së”, tha ai në një paraqitje për media pas dorëzimit të ankesës.
Nga LDK-ja ende nuk ka një reagim pas dorëzimit të kësaj ankese të LVV-së në PZAP. LVV-ja edhe më herët kishte kërkuar nga Paneli që të urdhëronte rinumërimin e votimit përmes postës, por Paneli kishte argumentuar se një kërkesë e tillë ishte dorëzuar pas afatit ligjor, i cili ishte 48 orë pas përfundimit të procesit të numërimit të votave.
Sallahu tha se në ankesën drejtusr PAZP kanë ofruar dëshmi për manipulimin e pretenduar. Sipas tij, skema e manipulimit ka nisur që nga faza e regjistrimit të votuesve, e deri te plotësimi i fletëvotimeve dhe dërgimi i tyre në Kosovë.
“Adresa ka qenë LDK dhe kësisoj votimi ka ndodhur në formë të manipuluar, të organizuar masivisht dhe kolektivisht nga persona të njëjtë me stilolaps të njëjtë, me ngjyrë të njëjtë dhe me duar të njëjta”, shtoi ai.
Sekretari organizativ i LVV-së, Alim Rama, si shembull për akuzat e tyre drejtuar LDK-së përmendi disa kandidatë që kishin marrë më pak vota në Kosovë sesa përmes votimit me postë.
Ai po ashtu përmendi se në votat e rinumëruara me postë – pasi PZAP-i kishte vendosur të rinumëroheshin disa të tilla për shkak se kishte pasur fletëvotime që nuk ishin shtypur siç duhet – shpërndarja e votave ka qenë në mënyrë “krejt normale”. Ai tha se është e rëndësishme që PZAP-i të miratojë tri kërkesat e LVV-së dhe kështu, sipas tij, “të kthehet legjitimiteti i zgjedhjeve në Kosovë”.
Lëvizja Vetëvendosje tha se provat që ka për këtë rast i ka dërguar më herët edhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, por ende nuk janë njoftuar për ndonjë veprim nga ky institucion.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 15 mars ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
LVV-ja ka dalë e para me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind. E dyta është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga LDK-ja me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.
Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-Demokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39.000 vota apo 4.26 për qind.
Pas shpalljes së rezultatit, partitë dhe kandidatët mund t’i adresohen Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe më pas Gjykatës Supreme nëse kanë vërejtje për rezultatin. Për zgjedhjet e 9 shkurtit, qytetarët kanë mundur të votojnë brenda Kosovës, me postë dhe për herë të parë është organizuar edhe votim fizik në disa ambasada dhe konsullata të Kosovës në disa shtete nëpër botë./Rel







