
Gjyqtarja e Gjykatës Administrative, Afërdita Caco, ka reaguar publikisht për vonesat në paga prej bllokimit në Thesar duke theksuar se po preken drejtpërdrejt nga detyrimet e përditshme financiare të magjistratëve, duke përmendur kreditë, shpenzimet familjare dhe nevojat e fëmijëve, veçanërisht në nisje të vitit të ri shkollor.
“Paga e gjyqtarit nuk mund të ulet, po ama mund të bllokohet fare, kështu që mos paguash kredi, ushqime, veshmbathje për fëmijët meqë fillon shkolla”, shkruan gjyqtarja.
Sipas saj, bllokimi i pagave nuk mund të shkëputet nga detyrimi për të garantuar pavarësinë e magjistratëve dhe respektimin e parimeve kushtetuese.Në reagimin e saj, gjyqtarja shprehet kritike edhe ndaj nismave ligjore që, sipas saj, bien ndesh me Kushtetutën.
“Miratimi i një tjetër ligji antikushtetues veçse sa zgjat kalvarin e padrejtësisë, po nuk e bën ligjin mbi Kushtetutën. Kushdo që konsideron se mund të qëndrojë mbi Kushtetutën, nuk reflekton mjaftueshëm”, shprehet Caco.
Pavarësisht situatës së krijuar, gjyqtarja Caco thekson se vonesa apo bllokimi i pagave nuk do të ndikojë në ushtrimin e detyrës së magjistratëve.
“Do vazhdojmë të kryejmë detyrën me përgjegjësinë maksimale edhe në kushte të vështira e të paprecedentë, duke iu bindur me besnikëri Kushtetutës e pastaj ligjeve”, përfundon ajo.
Postimi i plotë
Paga e gjyqtarit nuk mund të ulet, po ama mund të bllokohet fare, kështu që mos paguash kredi, ushqime, veshmbathje për fëmijët meqë fillon shkolla, se shteti i së drejtës për disa do të thotë legjislativi, ekzekutivi dhe drejtësia duhet të jenë në duart e një personi. Miratimi i një tjetër ligji antikushtetues veçse sa zgjat kalvarin e padrejtësisë, po nuk e bën ligjin mbi Kushtetutën, (veçse në librin për fëmijë Il paese all’incontrario – nga L. Ravera). Kushdo që konsideron se mund të qëndrojë mbi Kushtetutën, nuk reflekton mjaftueshëm. PS: Do vazhdojmë të kryejmë detyrën me përgjegjësinë maksimale edhe në kushte të vështira e të paprecedentë, duke iu bindur me besnikëri Kushtetutës e pastaj ligjeve.

