Momente paniku dhe frike janë regjistruar mbrëmjen e kaluar në klubin e natës “Lollipop” , gjatë një koncerti me këngëtarin e njohur Yll Limani. Ngjarja ndodhi në prani të qindra pushuesve vendas dhe turistëve të huaj, të cilët u përfshinë në një situatë kaotike pas një sherri mes dy grupeve, i cili degjeneroi në përleshje fizike, dhe dyshohet se është përdorur edhe armë zjarri.
Sipas dëshmitarëve, stafi i sigurisë ndërhyri për të larguar këngëtarin nga skena, ndërsa publiku u përfshi nga paniku total.
Të pranishmit raportojnë se njerëzit filluan të vraponin me nxitim drejt daljeve të emergjencës, duke shtyrë njëri-tjetrin dhe rrëzuar shumë persona në tokë.
“Tavolina, gota dhe shishe fluturonin në ajër. U dëgjuan britma, njerëz të lënduar, gjak në dysheme. Situata ishte jashtë kontrollit,” – deklaron një dëshmitar për median.
Disa persona dyshohet kanë mbetur të lënduar lehtë si pasojë e përplasjes apo goditjes nga copat e qelqit dhe objekteve të thyera. Gjithashtu, shumë të pranishëm raportojnë për sende personale të humbura, si telefona, çanta dhe portofolë.
Në lidhje me ngjarjen, Policia e Vlorës ka reaguar zyrtarisht, duke pranuar se ka ndodhur një konflikt, por pa dhënë detaje të plota mbi autorët apo numrin e personave nën hetim. Uniformat blu njoftuan se po kryhen hetime për të identifikuar personat e përfshirë dhe për të zbardhur nëse është përdorur armë zjarri gjatë incidentit.
Burime nga policia lokale konfirmojnë gjithashtu se ky nuk është incidenti i parë. Gjatë muajve të verës janë shënuar disa episode të dhunshme, të cilat kanë përfshirë konflikte fizike mes grupeve, përdorim thikash apo kanosje me armë, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë në bregdetin shqiptar./ VERSUS







