
Prokuroria e Milanos ka hedhur dritë mbi dinamikën fillestare të aksidentit tragjik ku humbi jetën oficeri i policisë lokale, 39-vjeçari Francesco Imprezzabile, gjatë një ndjekjeje policore mbrëmjen e së hënës në Peschiera Borromeo.
Autoritetet italiane kanë arrestuar një shtetas shqiptar 27-vjeçar si drejtues të mjetit që iu shmang postbllokut, ndërsa hetimet e para hedhin poshtë hipotezat mbi një përplasje të qëllimtë.
Gjatë dëshmisë së tij para gjyqtarit, 27-vjeçari me inicialet B.G. ka shpjeguar arsyen pse vendosi të largohej nga kontrolli policor.
“Nuk u ndala në pikën e kontrollit. Kisha disa gramë hashash dhe nuk doja të kisha probleme. Bëra një gabim dhe kërkoj ndjesë. Nëse mund të bëj diçka për familjen e tij, do ta bëj”, ka deklaruar ai.
Sipas mediave italiane, i riu shqiptar ka shprehur pendesë të thellë për ngjarjen dhe i ka kërkuar falje familjes së viktimës, por edhe shtetit italian. Ai madje ka pyetur nëse mund të bënte diçka për të ndihmuar familjen e oficerit të ndjerë.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se, pasi mësoi për vdekjen e policit, B.G., i asistuar nga avokati i tij Fabrizio Cardinali, kishte menduar edhe të vetëdorëzohej.
Ndërkohë, komandanti i Policisë Lokale të Milanos, Gianluca Mirabelli, konfirmoi se dy të rinjtë shqiptarë janë lokalizuar dhe ndaluar në zonën e Monzës. Ata fillimisht janë shoqëruar për identifikim, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur plotësisht rolin e secilit në ngjarje.
Autoritetet italiane po verifikojnë gjithashtu nëse të ndaluarit kanë precedentë penalë. Sipas hetimeve paraprake, në automjetin që nuk iu bind urdhrit të policisë dyshohet se ndodheshin të paktën dy persona.
Hetimet e deritanishme kanë përjashtuar, për momentin, një përplasje të drejtpërdrejtë mes automjetit të të dyshuarve dhe motoçikletës së policit. Megjithatë, prokurorët po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe prova të tjera për të rindërtuar me saktësi dinamikën e aksidentit që i mori jetën oficerit Francesco Imprezzabile.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në Itali. Presidenti Sergio Mattarella dhe Kryeministrja Giorgia Meloni kanë shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës dhe kanë vlerësuar figurën dhe shërbimin e efektivit të ndjerë.

