
Një 20-vjeçar nga Kamza ka vendosur ta marrë ligjin “në duart e veta” ose më saktë, uniformën e ligjit.
I riu me iniciale E. B., vetëm 20 vjeç, është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi dilte në rrugë i veshur si efektiv policie, i pajisur me uniformë, stema, grada dhe madje edhe me armë sportive, sikur të ishte pjesë e ndonjë patrulle të vërtetë.
Por “roli” i tij mori fund shpejt.
Në bulevardin “Nënë Tereza”, gjatë një kontrolli rutinë, efektivët e Komisariatit Nr. 5 u përballën me një “koleg” që askush nuk e njihte.
Dyshimi lindi menjëherë dhe, pas verifikimeve, rezultoi se 20-vjeçari nuk ishte punonjës i Policisë së Shtetit, ndonëse uniformën e mbante me plot bindje.
Gjatë kontrollit në banesën e tij në Kamëz, skena u bë edhe më e çuditshme: u gjetën katër dokumente identifikimi të dyshuara si të falsifikuara, një armë sportive pistoletë me dy krehra, 16 stema dhe grada policore, tre kapele me shenja zyrtare dhe një uniformë e plotë policie.
Policia po heton nëse i riu ka përfituar në ndonjë formë përmes “rolit” të tij, apo nëse bëhej fjalë për një “hobby” të rrezikshëm me uniformën e shtetit.
Në përfundim të hetimeve paraprake, E. B. u arrestua në flagrancë dhe materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
