AKTUALITET /

“Legen, maniak”, AGSH për fyerjet e Ristanit ndaj gazetarit: Gjuhë denigruese, s’pranojmë intimidime

Shkruar nga Versus
“Legen, maniak”, AGSH për fyerjet e Ristanit ndaj gazetarit:
Anuela Ristani

Asocacioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar lidhur me rastin skandaloz të ndodhur në emisionin “Piranjat” ku kryebashkiakja në detyrë e Tiranës, Anuela Ristani ofendoi gazetarin Edon Kuqi i cili denoncoi përdorimin e resurseve shtetërore për interesa familjare të Ristanit dhe abuzimin me orarin e punës.

Në reagimin e bërë nga Asociacioni i Gazetarëve, dënohet gjuha fyese e përdorur prej Ristanit. Ndërsa theksohet se raportime të tilla të gazetarëve janë të dmosdoshme për mbrojtjen e interesit publik.

Znj. Ristani, në vend që t’u përgjigjej me transparencë pyetjeve legjitime të ngritura nga një investigim gazetaresk mbi përdorimin e resurseve publike, zgjodhi të shantazhojë verbalisht gazetarin dhe të përpiqet të viktimizohet në mënyrë që të shmangë thelbin e çështjes”- thuhet mes të tjerash.

Reagimi i AGSH: 

Tiranë 7 Qershor 2025

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon me forcë gjuhën fyese, denigruese dhe përbuzëse të përdorur nga Kryetarja në detyrë e  Bashkisë Tiranë, znj. Anuela Ristani, ndaj gazetarit Edon Kuqi dhe ekipit të emisionit investigativ “Piranja”.

 Termat si “legen”, "maniakë" “turpi i gazetarisë”, apo akuzat për “joprofesionalizëm” janë jo vetëm të papranueshme në fjalorin publik, por edhe të rrezikshme për klimën e lirisë së medias në Shqipëri.

Znj. Ristani, në vend që t’u përgjigjej me transparencë pyetjeve legjitime të ngritura nga një investigim gazetaresk mbi përdorimin e resurseve publike, zgjodhi të shantazhojë verbalisht gazetarin dhe të përpiqet të viktimizohet në mënyrë që të shmangë thelbin e çështjes.

Asociacioni i Gazetarëve e bën të qartë se puna gazetareske përfshirë ndjekjen dhe dokumentimin e përdorimit të mjeteve shtetërore për qëllime private  është thelbësore për mbrojtjen e interesit publik.

 Çdo tentativë për ta kriminalizuar këtë mision përmes etiketimeve si “përndjekje”, “shantazh” apo “terrorizëm psikologjik”, është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit.

Po ashtu, ne theksojmë se pretendimet për “ndjekje të fëmijëve” nuk duhet të përdoren si mburojë emocionale për të mbuluar abuzime me pushtetin dhe burimet publike. Ne inkurajojmë çdo media të respektojë normat etike, por refuzojmë në mënyrë të prerë kriminalizimin e gazetarisë kritike dhe investiguese.

U bëjmë thirrje institucioneve publike, veçanërisht drejtuesve të lartë, që të ruajnë etikën e komunikimit, të garantojnë transparencën dhe të ndalojnë sulmet personale dhe institucionale ndaj gazetarëve.

Gazetarët nuk janë armiq të shtetit  janë syri dhe veshi i publikut. Ndaj nuk do të pranojmë në heshtje asnjë përpjekje për t’i intimiduar, përçmuar apo penguar në ushtrimin e detyrës së tyre.

Ndërkohë mbi pretendimet e Znj. Ristani (Sipas Safe Journalists Albania )

Shkelja e privatësisë për të mirën publike

Jeta private dhe familjare e politikanëve dhe zyrtarëve publikë nuk duhet të jetë objekt i raportimit mediatik, pasi kjo do të shkelte Nenin 8 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore. Megjithatë, informacioni rreth jetës së tyre private mund të zbulohet nëse lidhet drejtpërdrejt me kryerjen e detyrave të tyre publike, pa u shkaktuar dëme të panevojshme palëve të treta (fëmijëve ose anëtarëve të tjerë të familjes).

Kur flitet për cenimin e privatësisë së politikanëve ose zyrtarëve publikë për hir të interesit publik, "interes publik" duhet të kuptohet si "veprime dhe/ose informacione që synojnë të ndihmojnë publikun të formojë opinione ose të marrë vendime në lidhje me çështje ose ngjarje të caktuara, duke përfshirë zbulimin e krimeve ose kundërvajtjeve, dhe për të parandaluar që publiku të mashtrohet nga deklaratat ose veprimet e individëve ose organizatave". Gazetarët dhe redaktorët duhet të vlerësojnë interesin publik rast pas rasti përpara se të zbulojnë informacione private.

Në mënyrë të ngjashme, kur politikanët ose figurat publike tërheqin vëmendjen ndaj disa aspekteve të jetës së tyre private, media ka të drejtë të raportojë për këtë dhe të informojë publikun. Në rastet kur njerëzit që janë nën vëzhgim vuajnë nga tragjedi personale, media duhet të tregojë konsideratë dhe t'i qaset çështjes me dhembshurinë dhe diskrecionin e duhur. Versus.al

Poll