
Pak ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi kontratën e re me shoqërinë e menaxhimit të mbetjeve “Eco-Elb”, vetëm me votat e maxhorancës dhe nën kundërshtitë e forta të këshilltarëve opozitarë.
Kontrata e re një-vjeçare parashikon sërish që Bashkia e Elbasanit do të paguajë tarifën 2600 lekë për depozitimin e çdo toni mbeturina në landfill, ndërkohë që kompania publike “Eco-Elb” nuk ka kryer thuajse asnjëherë incenerimin e mbetjeve, pasi impianti i djegies së tyre (inceneratori) është tërësisht jo-funksional.
Prej vitit 2022, kur kompania “Eco-Elb” mori në dorëzimin landfillin dhe inceneratorin skarco të Elbasanit nga shoqëria koncesionare “Albtek Energy”, bashkia e Elbasanit dhe gjashtë bashkitë e tjera të qarkut kanë paguar tarifën 2600 lekë për ton, në të cilën përfshihej depozitimi, përpunimi dhe incenerimi i mbetjeve urbane, ndërkohë që procesi i fundit nuk është kryer asnjëherë.
Pasi opozita ka ngritur zërin shpesh për pagesën e fryrë, për shkak të mungesës së inceneratorit, Bashkia e Elbasanit dhe “Eco-Elb”, në vitin 2025, hoqën termin “incenerim” nga kontrata, por gjithësesi tarifa nuk ndryshoi, duke krijuar dyshime se krijon peshë financiare abusive ndaj qytetarëve.
Kryekëshilltarja e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, Bianka Çopja, është e bindur se Bashkia e Elbasanit ka kryer abuzime të rënda financiare nëpërmjet kontratës me “Eco-Elb” shpk, ndërmarrja e drejtuar nga Leli Kaja, i emëruar në atë pozicion nga kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja.
Çopja ka kërkuar prej mëse dy vitesh informacion zyrtar nga Bashkia e Elbasanit për situatën financiare të “Eco-Elb”, si edhe “të bëj transparencë të plotë mbi dëmin financiar të shkaktuar nga moszbatimi i kontratës nga ana e shoqërisë, të ndërpres pagesat për shërbimet e pakryera, si dhe konstatimin e paligjshmërisë së mosveprimit të Bashkisë Elbasan në mbrojtje të interesave financiare dhe publike”.
Përballë heshtjes së plotë nga Bashkia e Elbasanit, këshilltarja opozitare i është drejtuar Gjykatës Administrative të shkallës së Parë, Tiranë, në të cilën kërkohet që të detyrohet Bashkia e Elbasanit që të japë informacionin e kërkuar dhe, mbi të gjitha, të urdhërohet pezullimi i pagesave, të konsideruara “abusive” për inceneratorin jo-funksional të qytetit.
Padia: Të ndalen pagesat abuzive
Gjyqtari Hazbi Balliu është shortuar për të shqyrtuar padinë e zonjës Çopja kundër Bashkisë së Elbasanit, të dorëzuar në 25 mars 2026.
Kërkesat që këshilltarja demokrate i drejton Gjykatës mund të ndryshojnë tërësisht rrjedhën e pagesave abuzive, në rast se trupa gjykuese do t’i vlerësojë të drejta.
Sipas dokumentit, të siguruar nga “Boldnews.al”, paditësja ka të paktën tre kërkesa kryesore:
– Detyrimin e palës së paditur, Bashkia Elbasan, në cilësinë e Autoriteti Publik, për të rishikuar menjëherë marrdhënien kontraktore dhe konstatimin e pavlefshmërisë së kontratave për vitet 2022, 2023, 2024, e në vazhdim për menaxhimin e mbetjeve ndërmjet Bashkisë Elbasan dhe shoqërisë “Eco-Elb” sh.a., për sa i përket procesit të incenerimit dhe trajtimit–seleksionimit në burim të mbetjeve, si procese të cilat nuk janë kryer nga shoqëria Eco-Elb sha.;
– Detyrimin e palës së paditur Bashkia Elbasan, në cilësinë e kontraktorit (Klientit) të bëj transparencë të plotë mbi dëmin financiar të shkaktuar nga moszbatimi i kontratës nga ana e shoqërisë, të ndërpres pagesat për shërbimet e pakryera, si dhe konstatimin e paligjshmërisë së mosveprimit të Bashkisë Elbasan në mbrojtje të interesave financiare dhe publike; si edhe:
– Detyrimi i palës së paditur për të ndërmarrë veprime ligjore për të nisur procedurat për rikuperimin e dëmit ekonomik dhe kthimin e fondeve publike të paguara padrejtësisht për shërbime të pakryera;
Sipas paditëses, situata është emergjente dhe, për këtë arsye, ajo ka një kërkesë shtesë në padi, ku kërkon nga Gjykata Administrative që të marrë masën e sigurimit të padisë, duke pezulluar çdo pagesë që do të kryhet nga Bashkia Elbasan për “Eco-Elb”, deri në shqyrtimin në themel të rastit.
Çopja: Llatja, zero transparencë për inceneratorin
Paditësja Bianka Çopja informon gjykatën për refuzimin në seri që Bashkia e Elbasanit dhe “Eco-Elb” i kanë bërë asaj personalisht dhe këshilltarëve demokratë në Këshillin Bashkiak të qytetit, për informacionin e kërkuar në rrugë ligjore.
“Pavarësisht kërkesave të paditëses për transparencë dhe për t’u informuar në lidhje me veprimtarinë e impjantit të mbetjeve dhe transparencë mbi shpenzimet financiare, si Autoriteti Kontraktor, ashtu edhe përfaqsuesit e Bashkisë së Elbasanit asnjëher nuk i morën seriozisht dhe nuk dhanë asnjë shpjegim në lidhje me funksionimin e lanfillit të Elbasanit” thuhet në padi.
Duke kujtuar se landfilli i Elbasanit është përfshirë disa herë nga zjarret për shkak të tejmbushjes mbi kapacitetin, këshilltarja Çopja i thotë gjykatës:
“Në cilësinë e këshilltares dhe në ushtrim të funksionit kushtetues e ligjor, në emër të shtatë këshilltarëve të opozitës së subjektit të Partisë Demokratike, u intensifikua veprimtaria, me qëllim bërjen e transparencës së plotë të veprimeve administrative ligjore dhe u kërkua zyrtarisht informacion për shpenzimet e kryera dhe kopje të kontratës së bërë ndërmjet Bashkisë Elbasan dhe shoqërisë Eco-Elb sh.a, duke ripërsëritur disa herë kërkesën për informacion dhe për informim. Por, sërish, përfaqsuesit e Bashiksë nuk kthyen përgjigje, duke iu shmangur vazhdimisht dhe duke ju ikur përgjegjësive ligjore. Edhe sot e kësaj dite nuk kanë kthyer përgjigje, ç’ka detyroi paditësen t’i drejtohet gjykatës”.
“Inceneratori fantazëm”
Paditësja, në cilësinë e kandidates për anëtare të Këshillit Bashkiak të qytetit të Elbasanit, së bashku me gjashtë kandidatët për këshilltarë të opozitës, thotë se gjatë vitit 2023, ka zhvilluar takime elektorale me banorët e zonës në terren për të dëgjuar problemet dhe shqetësimet e tyre.
Bianka Çopja shkruan në padi se, gjatë takimeve me banorë të cilët jetojnë në afërsi të vend depozitimit të mbeturinave në Elbasan, disa prej tyre u ankuan dhe ngritën shqetësimin se vendbanimi i tyre aty ishte bërë i pabanueshëm për shkak të erës së keqe që vinte nga landfilli. Ndryshe nga demonstrimi i kryer nga Kryetari Bashkisë, njëherazi dhe kandidat për Kryetar Bashkie i qytetit të Elbasanit.
“Qytetarët na informuan se impjanti nuk ka fuksionuar për një kohë të gjatë dhe abuzimet me impjantin e mbetjeve ishte evident për shkak të malit të lartë të mbetjeve dhe po kështu qytetrët na informuan se dhe ndezja e impiantit që bëri Kryetari i Bashkisë ishte për të mashtruar opininonin publik. Një nga qytetarët që mund të ishte punonjës në impjantin e mbetjeve u shpreh se inceneratori nuk punon, atije janë tejkaluar kapacitetet e landfillit dhe mbetjet e riciklueshme shiten privatsisht”, thuhet ndër të tjera në padinë e këshilltares bashkiake, Bianka Çopja./Boldnews

