
Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra katër punonjës policie dhe shefin e Rendit në Komisariatin Nr. 1, nënkomisar F. K., pas publikimit të videos ku shfaqet 19-vjeçari L. B., i dëmtuar në këmbë, teksa shoqërohet nga efektivët pranë Parlamentit për t’u transportuar drejt spitalit.
Përmes një njoftimi zyrtar, Policia bën me dije se ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e incidentit dhe mënyrën e trajtimit të të riut nga punonjësit e saj.
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pesë punonjësit janë pezulluar nga detyra, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre.
Gjithashtu, është ngritur një grup i posaçëm nën drejtimin e kësaj drejtorie, i cili do të analizojë të gjitha veprimet e punonjësve të Policisë gjatë protestës, nga fillimi deri në përfundim të tubimit, si dhe zbatimin e procedurave standarde të punës.
Policia thekson se çdo punonjës që rezulton se ka shkelur procedurat apo ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.
Paralelisht, edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin.
Në reagimin e saj, Policia e Shtetit dënon aktet e dhunshme të regjistruara gjatë orëve të fundit në kryeqytet, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës. Sipas institucionit, këto veprime nuk kanë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.
Policia u ka bërë thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi që t’i ndalin veprimet e tyre, duke paralajmëruar se do të përballen me ligjin. Gjithashtu, u ka kërkuar qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, për të garantuar sigurinë e tyre.
Hetimet pritet të sqarojnë rrethanat e incidentit me 19-vjeçarin dhe nëse gjatë ndërhyrjes policore janë shkelur procedurat standarde.

