Nga data 1 qershor, ka hyrë në fuqi marrëveshja dypalëshe për njohjen e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë, duke i dhënë fund pritjes së gjatë për mijëra emigrantë shqiptarë.
Kjo marrëveshje u finalizua më 16 maj, gjatë Samitit të Komunitetit Politik Europian në Tiranë, ku kryeministrja italiane Giorgia Meloni dorëzoi personalisht dokumentin përfundimtar homologut të saj shqiptar, Edi Rama.
Kush përfiton?
Nga kjo marrëveshje përfitojnë rreth 500 mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali, si dhe rreth 4 mijë shtetas italianë që kanë leje qëndrimi ose biznese në Shqipëri.
Në thelb, marrëveshja lejon që:
Shqiptarët që punojnë ose kanë punuar në Itali të marrin pension të plotë, duke iu njohur vitet e punës në të dy vendet.
Italianët që jetojnë në Shqipëri, gjithashtu, përfitojnë në bazë të kontributeve të derdhura në të dy shtetet.
Edhe ata që kanë dalë në pension përpara vitit 2024 mund të aplikojnë për rishikim të të drejtave të tyre, nëse kanë kontribute të padeklaruara ose vite pune të papërfshira.
Si aplikohet?
Aplikimi bëhet pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në shtetin ku jeton individi (p.sh. shqiptarët në Itali drejtohen te INPS-i italian, italianët në Shqipëri te ISSH). Secili institucion do të llogarisë pjesën e pensionit bazuar në vitet e punës dhe kontributet përkatëse në vendin përkatës. Versus.al







