AKTUALITET /

Operacion i policisë italiane: Goditet grupi kriminal i drejtuar nga Elvis Demçe , 14 urdhër-arreste, 11 të ndaluar, 3 në kërkim

Të hetuarit akuzohen, në forma të ndryshme, për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikun e lëndëve narkotike, shpërndarje droge, zhvatje dhe zjarrvënie të qëllimshme.

Shkruar nga Versus
Operacion i policisë italiane: Goditet grupi kriminal i drejtuar nga Elvis
Goditet grupi kriminal i drejtuar nga Elvis Demçe

Karabinierët e Bërthamës Hetimore të Romës kanë arrestuar 11 persona, nga 14 urdhra paraprake arresti që kishte lëshuar gjykata kryeqytetase dhe Drejtoria e Antimafias. Në operacion kanë marrë pjesë dhe komandat territoriale të Reggio Calabria, Rossano, Cisterna di Latina dhe Bovalino.

Të hetuarit akuzohen, në forma të ndryshme, për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikun e lëndëve narkotike, shpërndarje droge, zhvatje dhe zjarrvënie të qëllimshme.

Kjo masë është zhvillim i një hetimi të nisur në janar 2022, i cili çoi në çmontimin e një organizate kriminale të lidhur me Elvis Demçen, shtetas shqiptar, i konsideruar si figura kyçe në menaxhimin e trafikut të drogës mes Lazios dhe Calabrias, shkruan RAI. 

Demçe, i dënuar në dhjetor 2022 me 18 vite burg për trafik droge, zhvatje dhe zjarrvënie, kishte dalë si drejtues dhe organizator i një grupi që administronte sasi të mëdha droge dhe kontrollonte territorin përmes frikësimit dhe dhunës.

Hetimi aktual është përqendruar te bashkëpunëtorët më të afërt të Demçes, të cilët kishin mbetur në hije gjatë fazave të para të hetimit.

Përmes përgjimeve, analizës së bisedave të koduara dhe kontrolleve në terren, hetuesit kanë mundur të identifikojnë rolet, përgjegjësitë dhe episode të reja.

Midis majit 2020 dhe marsit 2021, grupi dyshohet se ka trafikuar 338 kg kokainë, 1.510 kg hashash dhe 70 kg marihuanë, me Romën dhe Latinën si zonat kryesore të shpërndarjes.

Disa nga të arrestuarit nga Kalabria luanin rol kyç në logjistikën e trafikut.

Përveç trafikut të drogës, hetimi ka zbuluar edhe tre raste të rënda zhvatjeje, të shoqëruara me dhunë dhe kërcënime për të rikuperuar borxhe nga shitja e drogës.

Në një rast, të hetuarit dogjën një sallë bastesh në Romë dhe kërcënuan pronarin, duke e detyruar të paguante mbi 80.000 euro.

Një tjetër viktimë u rrëmbye dhe u çua në një pyll, ku iu vu një pistoletë në kokë për ta detyruar të dorëzonte 50.000 euro.

Vendimi i gjykatës është rezultat i apelimit të bërë nga Antimafia, e cila theksoi rrezikshmërinë e grupit dhe aftësinë e tij për të ushtruar presion dhe frikë, edhe pas dënimit të liderit. Një organizatë e strukturuar, e dhunshme dhe e rrënjosur në territor./Versus.al

Poll