AKTUALITET /

Pas polemikave në rrjet, Viktor Zhusti sqaron ‘episodin’ me Adriatik Lapajn: Në këtë vend, sado të fshihesh, nuk mbetet gjë pa dalë në mexhlis!

Aktori sqaron reagimin e tij të vonuar ndaj një fotoje provokuese, duke mohuar kërcënimet dhe duke treguar mesazhet lutëse për ta hequr.  Pas polemikave të nxehta në rrjetet sociale, aktori Viktor Zhusti sqaron "episodin" me Adriatik Lapajn në një reflektim të gjatë të Krishtlindjeve.

Shkruar nga Versus
Pas polemikave në rrjet, Viktor Zhusti sqaron ‘episodin’ me
Adriatik Lapaj dhe Viktor Zhusti

Pas polemikave të nxehta në rrjetet sociale, aktori Viktor Zhusti sqaron "episodin" me Adriatik Lapajn në një reflektim të gjatë të Krishtlindjeve.

Aktori sqaron reagimin e tij të vonuar ndaj një fotoje provokuese, duke mohuar kërcënimet dhe duke treguar mesazhet lutëse për ta hequr. 

Postimi i Viktor Zhustit: 

(Ese me rastin e Krishtlindjes)

Pas një jave stuhie, kur Deti Facebook u përzie me keq se ai Adriatik dhe cunami ngriti në sipërfaqe e nxorri në breg, vlera dhe zgjyrë, për aq kohë të mbetura në errësirë, tani që u vërtetua, nga të dy anët e llogoreve, sa të gatshëm e me gisht në këmbëz ishim (ca nga vigjilenca, ca nga rajallëku e ca për hakmarrje), tani, që, më në fund, u mor vesh mirë: kush ka frikë dhe nga kush, kush është çdonjeri e me kë, kush është spiun dhe i kujt, kush turpëroi veten dhe para kujt, kush është patronazhist dhe i kujt, kush është mashtrues dhe përse, kush e ka fjalorin më të pasur dhe me se, kush meriton respekt dhe prej kujt, kush nxiu faqen dhe para kujt, tani që yryshi, inati e verbëria, me të cilën iu sulëm për ta shqyer njeri-tjetrin, disi ka rreshtur, të mbushemi me frymë dhe të pyesë gjithsecili veten: “përse dhe kujt i shërbeu gjithë kjo”? Dhe, duke “lëpirë plagët” (siç bëjnë egërsirat kur mbaron ose tërhiqen nga përleshja), duke u munduar, me sa mend kemi, na kanë mbetur a na kanë lënë (pavarësisht se nga ç’anë e llogores jemi reshtuar), të gjejmë: “Ia vlejti?! Kush fitoi dhe çfarë?!”

Ndamë, ç’kishim për të ndarë: mendimet, opinionet, përshtypjet, konsideratën, antipatitë, urrejtjen, vrerin, njollosjen, partitë… pa llogaritur që hidhërimi dhe armiqësia që le pas gjithë kjo, nuk është si “çudia më e madhe që zgjat vetëm tri ditë”. Gjithë ky sulm i furrishëm dhe i papritur, më vërtetoi që askush nuk të ndjek e kontrollon më tepër se njerëzit të cilëve nuk u pëlqen ose u ke shkelur në kallo.

Lexoj shumë komente e deklarata që, reagimi im qe pasojë e kërcënimit që më është bërë (?!), nga që reagimi erdhi dy ditë pas postimit të fotografisë. Në atë postim vura dhe një foto të mesazhit që i dërgova bashkëluftetarit të tij të afërm, dhjetë minuta pas takimit, pra, qënkam kërcënuar para se të shihnin foton. Nuk janë të paktë ata që, me të drejtë, pyesin përse nuk reagova menjëherë pas postimit, por prita dy ditë dhe, kjo për faktin se nuk i bëra të njohura mesazhet e shumta (mund t’ia ve në dispozicion kujtdo), mesazhe tepër lutëse që fotoja të hiqej ose të ndryshohej diçitura: “erdhi na takoi… na dha energji pozitive… ju pres në protestën e të shtunës…”. Nëse bashkëpunëtorët do t’ia raportonin shefit të gjitha këto, do ishte evituar edhe zhurma dhe kryqëzata.

S’jam indiferent dhe as i shenjtë që, kur më godasin, të them “Fali Zot se nuk dinë ç’bëjnë”. Jo. Jo. E njoh dhe e kontrolloj fytyrën time, madje dhe atë “zonë gri” të ndërgjegjes dhe nëse (në disa raste) dua dhe fal, fal jo se s’ dinë ç’bëjnë, por i keqardhur, nga që e kuptoj përse e bëjnë. Duke mos u pajtuar me një thënie të mençur që për të tilla raste këshillon: “mos u nevrikos me ata që flasin keq për ty, thjesht mëshiroji…”, vendosa të reagoj, madje dhe më ashpër e hidhur nga ç’më njohin, jo nga motua “derri do plumb”, por nga që ndjeva se heshtja dhe tërheqja u dha shumë zemër luftëtarëve, të bindur që heshtjen dhe mirësinë mund t’i përdorin si shkallë për të të hipur mbi shpinë.

Reagimi i militantëve qe i ashpër dhe i papërmbajtshëm: sforco, britma, çjerrje, linçime, përdhosje; s’u la asgjë pa u nëpërkëmbur e përlyer, u kalua çdo masë, u harrua çdo vlerë, “u flak, siç thotë Marksi, bashkë me ujin e pistë dhe foshnja” e s’mbeti asgjë për t’u shijuar. Që të përbuzësh një vlerë (e ke çmuar dikur) duhet të njohësh, të vlerësosh, të kesh konsideratë e të nderosh, së pari, veten. Paturpësia nuk mund dhe as duhet të konsiderohet guxim e kurajo, nga që zbulon formim të mangët, karakter të dobët dhe, në kohën e sotme, të ekspozon. Dikur “atë” (të marrin, hajdutin, mashtruesin, perversin, xhahilin…) e njihte vetëm familja, mundet lagjja e shumë-shumë fshati, kurse tani, përmes Facebook-ut, nami merr berihanë.

Nga komentet e disave, kuptova që paskam prerë degën mbi të cilën qëndroja, pasi nuk është vetëm një njeri që deklaron: “kisha respekt për ty, po pas kësaj e hoqa respektin”. Respektuesi im i vjetër dhe tani “armik” i ri. Respekti nuk është prizë për të karikuar telefonin. Ti (keq më vjen) s’ke pasur kurrë respekt për mua, pasi (më fal) nuk e kupton atë si koncept e kategori. E ke dëgjuar, e përsërit. Pse kishe respekt për mua e di? Po pse e hoqe e di? Se unë, miqësisht ta them, edhe pse e kishe edhe pse e hoqe, nuk ndjehem i keqardhur. Nuk më vjen keq që të humba, trishtohem që të kisha. Do më ngrohte e dhimbte respekti yt, nëse do kuptoja që ti respekton, së pari, veten tënde. Nuk mund t’i pengoj njerëzit të mendojnë ç’të duan, aq më tepër kur ky është i vetmi ngushëllim për ta, por s’mund ta lë pa theksuar atë që më ka mësuar jeta dhe ndonjë libër: “njeriu është i bukur, kur është i bukur nga brenda…”.

Në këtë vend, sado të fshihesh, nuk mbetet gjë pa dalë në mexhlis. Shumë nga vigjilentët vigjëlues, duke lexuar “midis reshtave”, nuhatën që qënkam kërcënuar nga “Ai” për bukën e gojës dhe ç’është më e ndyra, më paska futur po “Ai” për të sabotuar protestën. Nga të gjitha këto, më qendisën një karakteristikë plot epitete: i pafytyrë, pa dinjitet, pa karakter, i shitur, i futur, i infiltruar, madje dhe pa këllqe. Disa zbuluan se qënkam dhe “spiun i grekut”, të tjerë më cilësuan “Sorosian”. Një tjetër zbuloi që u katandisa aktor në Shqipëri, nga që më zbuan nga Greqia. Një tjetër thelloi aktakuzën duke deklaruar se jam futur në burg për 7 kg drogë, e të tjera shpifje. Megjithatë, po, e vërtetë, jam spiun: lexoj, shkruaj, përkthej e shikoj teatër në Greqi. “Spiun i kompletuar”.

Shumë nga militantët opinionistë, të angazhuar për të zgjidhur problemet e Kombit dhe Demokracisë, nuk gjejnë kohë të kthejnë shikimin brenda vetes. Demokracia presupozon lirinë e të shprehurit, jo sharjes e shpifjes; debat, jo kryqëzim e kacafytje; votim të lirë, jo nostalgji për rezultatet 99.99%. Më quajtët frikacak, shërbëtor, të shitur, komunist, vetëm se thashë: “Shqipëria bëhet vetëm nga ata që po luftoni”. E thashë. E pranoj. Gabim. Fatal. Miop. Po, miop europian, ama.

Burrat e vërtetë edhe mërziten, edhe dështojnë, edhe qajnë dhe herë-herë i tregojnë dobësitë. Edhe rrëzimi është dhuratë, pasi kthehet në mësim e përvojë, veç mos harrojmë të marrim me vete njeriun dhe mirësinë. Më lejoni të jem ky që jam: njeriu që ka gabuar, që është rrëzuar, që është ngritur, që nuk është dorëzuar. Vazhdoj të eci, pa bastun, pa frikë, duke parë përpara, drejt, larg.

Kur diskutohet për politikë, lexoj shpesh se “ky popull kaq meriton”. Kurrë nuk e kam parë popullin tim si turmë apo kope. Aktori është pjesë e shpirtit të popullit; atje ku të tjerët shohin turma, aktori sheh njerëz. Teatri jeton në trekëndëshin dramaturg–teatër–publik, ku spektatori është frymëdhënësi dhe gjykatësi më i çmuar. Arti është i të gjithëve dhe për të gjithë.

Në këto ditë festash, mendja ndriçohet, shpirti qetësohet e toleron. Falim, jo se tjetri e meriton, por sepse ne meritojmë të jemi të çliruar. Kur me artin tënd përpiqesh të ndriçosh rrugën dhe shpirtin e dikujt, ndriçohet dhe rruga e shpirti yt.

Nëse gjithçka që shkrova do të konsiderohet hipokrizi, atëherë riniseni betejën, shtoni sharjet e denoncimet. Deri tani po u afrohem 1500 like, mbi 1000 komente dhe mbi 80 postime; nuk jam lodhur e as mërzitur. Kjo qenka “bursa” e suksesit. Vura bast se deri në fund të vitit, kush do ketë më shumë like, komente dhe postime, do fitojë. Dhurata dhe emri i fituesit do shpallen në fillim të vitit 2026.

Festat e Mëdha të Fundvitit sjellin edhe trishtim, por janë të shenjta për reflektim. Në këto ditë, shohim tjetrin me sy të zbutur. Krishtlindje, për fëmijët janë dhuratat; për ne, dhuratë është ajo që mund të japësh nga vetja. Uroj që gjithkush të ketë diçka për të dhënë. Është kaq e nevojshme në acarin e këtij dimri social.

I juaji,
Viktor Zhusti.

Dy javë më parë aktori Viktor Zhusti reagoi publikisht ndaj publikimit të një fotografie ku shfaqet krah aktivistit Adriatik Lapaj, duke sqaruar se imazhi ishte realizuar vetëm për qëllime personale dhe me marrëveshjen që të mos bëhej publike.

Sipas Zhustit, fotoja u përdor si "shashkë progandistike" për mitingje politike, e për të krijuar përshtypjen se aktori mbështet lëvizjen Shqipëria Bëhet. 

Duke mos fshehur zhgënjimin nga ato të cilat i quajti "miqësi të rrugës", Zhusti tha se postimi i ka sjellë "shumë armiqësi, qejfmbetje dhe komente negative"./Versus.al

Poll