AKTUALITET /

Përkeqësohet situata me zjarret në vend, 10 vatra aktive në 11 orë. 2 helikopterë për shuarjen e flakëve në Priskë të Madhe

Operacionet vijojnë edhe në Krastë-Halil, në Nëmërçkë dhe Dhëmbel të Përmetit, si dhe në malin e Moravës në Devoll, ku nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Shkruar nga Versus

Përkeqësohet situata me zjarret në vend, 10 vatra aktive në

Situata e zjarreve vijon të jetë shqetësuese në disa zona të vendit. Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se gjatë 11 orëve të fundit janë aktive 10 vatra zjarri në territorin e Shqipërisë.

Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 531 forca operacionale dhe 29 mjete, ndërsa ndërhyrja nga ajri po kryhet me 5 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor.

Në Dajt dhe Priskë të Madhe po vijojnë operacionet nga toka dhe ajri. Në Dajt janë angazhuar 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga dy helikopterë, ndërsa në Priskë të Madhe operojnë 15 efektivë me katër automjete zjarrfikëse dhe mbështetjen e dy helikopterëve. Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Drenie, në bashkinë Patos, ndërhyrja po vijon nga toka me forcat zjarrfikëse dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa në Krujë po punohet në disa vatra.

Në Abaze janë angazhuar 57 efektivë të FA-së dhe dy helikopterë, pa rrezik për zonat e banuara. Në lagjen Bojë ndërhyrja po kryhet nga toka, ndërsa në një vatër në terren të vështirë po ndërhyn një helikopter i Forcës Ajrore. Pranë banesave janë pozicionuar tre automjete zjarrfikëse.

Operacionet vijojnë edhe në Krastë-Halil, në Nëmërçkë dhe Dhëmbel të Përmetit, si dhe në malin e Moravës në Devoll, ku nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Një nga operacionet më të rëndësishme po zhvillohet në Gurë-Lurë, në bashkinë Dibër. Në terren janë angazhuar forca të MZSH-së, Policisë së Shtetit, strukturave bashkiake, ADZM-së, shërbimit pyjor dhe vullnetarë, së bashku me 50 efektivë të FA-së. Nga ajri po ndërhyjnë dy avionë Air Tractor, ndërsa forcat janë pozicionuar pranë banesave që mund të rrezikohen.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin dhe koordinimin e strukturave të emergjencave. Operacionet do të vijojnë deri në izolimin dhe shuarjen e plotë të të gjitha vatrave aktive.

Poll