
Në fjalën e saj mbajtur mbrëmjen e sotme në protestën e 10-të qytetare, banorja e Rrjollit Luçjana Kokaj tha se banorët e Rrjollit nuk janë kundër zhvillimit apo investimeve, por kundër asaj që ajo e quajti “grabitje të pronave”.
“Rrjolli nuk është kundër investimeve dhe zhvillimeve, por kundër grabitjes së pronave. Është më se e qartë që është zonë e mbrojtur ndërkombëtarisht,” u shpreh Kokaj, duke i bërë thirrje institucioneve europiane të monitorojnë situatën.
Sipas saj, Rrjolli është një zonë e mbrojtur me rëndësi ndërkombëtare dhe duhet të trajtohet në përputhje me konventat dhe standardet mjedisore.
Luçjana tha gjithashtu se banorët janë zgjuar “në tokën e tyre të rrethuar me tela me gjemba”, duke e cilësuar veprimin si të papranueshëm dhe të turpshëm.
Kokaj kërkoi largimin e menjëhershëm të gardheve dhe bëri thirrje për reagim qytetar, duke theksuar se qëllimi i protestës është “shpëtimi i Rrjollit dhe zonave të mbrojtura”.
Sipas saj, protestat do të vijojnë deri në zgjidhjen e çështjes dhe mbrojtjen e territorit nga ndërhyrjet që banorët i konsiderojnë të paligjshme.
Fjala e Luçiana Kokaj: Rrjolli nuk është kundër investimeve dhe zhvillimeve por kundër grabitjes së pronave, është më se e qartë që Rrjolli është zonë e mbrojtur ndërkombëtarisht. Është një thirrje për Europën të shikojnë se çfarë po ndodh. Është zonë e rëndësishme sepse është pjesë e Konventave Ndërkombëtare dhe duhet t’i respektojnë.
Dje janë zgjuar rrjollorët në tokën e tyre me tel me gjemba, turp. Kërkohet largimi i kësaj klase poltike. I bëj thirrje të gjithëve që të hiqen telat me gjemba atje në Rrjoll. Ne nuk duam gjë tjetër përveçse shpëtimin e Rrjollit njëherë e mirë. Është momenti për të shpëtuar çdo qytet e vend të mbrojtur.

