
Personi që shikoni në foto është 47 vjeçari shqiptar Artur Bashimi i njohur dhe Artur Turabi i ekzekutuar mbrëmjen e së hënës (18 shkurt) në në zonën e Shën Panteleimonit në Athinë.
Sipas mediave greke, ai u qëllua në kokë në rrugën Mihail Voda dhe gjeti vdekjen në vend.
Bashimi, i lindur më 10 prill 1978, me origjinë nga Gjirokastra ishte i njohur për autoritetet greke, pasi në vitin 2022 ishte arrestuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale që kryente vjedhje ndaj udhëtarëve në mjetet e transportit publik në Athinë.
Gjithashtu 47 vjeçari është vëllai i Marsel Bashimit i njohur edhe me mbiemrat Shkurtaj ose Gozhita, 38 vjeç, i cili ka një dosje të gjatë kriminale si në Shqipëri dhe Greqi.
Marsel Bashimi është arrestuar në korrik 2022 së bashku me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të dy të akuzuar në Shqipëri për vrasjen e komisarit të policisë Artan Cuku në vitin 2017.
Si ndodhi vrasja e kryekomisarit Artan Cuku?
Kryekomisari Artan Cuku, ish-drejtor i Policisë së Vlorës, u ekzekutua më 8 prill 2017 në hyrje të pallatit ku banonte në Tiranë. Ai u qëllua me pesë plumba, katër në gjoks dhe një në kokë, nga ekzekutori Mikel Shallari, i cili kishte marrë një pagesë prej 3,000 eurosh për të kryer krimin. Pas vrasjes, Shallari u arratis dhe u kap më vonë pas një periudhe kërkimi.
Hetimet zbuluan se vrasja ishte porositur nga Bledar Jambelli, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i cili kishte një histori të gjatë kriminale. Jambelli kishte një hakmarrje personale ndaj Cukut, pasi ky i fundit e kishte arrestuar në vitin 2013 për vrasje të dyfishtë, edhe pse ai u lirua më vonë për mungesë provash. Në vitin 2017, Jambelli vendosi të hakmerrej duke paguar për vrasjen e Cukut.
Në vitin 2025, Gjykata e Tiranës dënoi me burgim të përjetshëm Bledar Jambellin dhe Kristaq Leçin për vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku./Versus.al







