
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka reaguar për situatën ku ndodhet vendi ynë që prej mëngjesit të ditës së djeshme pas reshjeve të dendura të shiut.
Në reagimin e institucionit të drejtuar nga ministri Bledi Gonxhja, thuhet se dalja e lumit drin nga shtrati ka shkaktuar përmbytje në qendër të qyteti të Lezhës duke ndikuar edhe në zonën breg lumore pranë mureve antike të Lisit dhe Memorialit të Skënderbeut.
Pas monitorimit në terren, ministria kërkon që të jetë prioritet mbrojtja e pasurive kulturore.
Reagimi i plotë:
Në vijim të situatës së reshjeve intensive, strukturat përgjegjëse të trashëgimisë kulturore vijojnë monitorimin e pandërprerë në territor.
Në qarkun Shkodër dhe zonat përreth, reshjet kanë vazhduar ndërkohë që kanë nisur edhe shkarkimet nga kaskada e HEC-eve Koman dhe Vau i Dejës. Situata paraqitet e përkeqësuar në qytetin e Lezhës, ku dalja e lumit Drin nga shtrati ka shkaktuar përmbytje në qendër të qytetit, duke ndikuar edhe në zonën breg-lumore pranë mureve antike të Lisit dhe Memorialit të Skënderbeut, për shkak të pamundësisë së kolektorit të qytetit për të tërhequr ujin nga niveli i lartë i lumit.
Në pasuritë e tjera kulturore në territor situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe, pavarësisht prurjeve të shtuara të lumenjve dhe përrenjve, deri në këto momente nuk janë konstatuar përkeqësime.
Nga monitorimi i kryer në një pjesë të urave në juridiksionin e DRTK Vlorë, nuk janë evidentuar problematika, ndërsa po vijon vëzhgimi edhe në sektorin Sarandë, ku deri tani, sipas kontakteve në terren, nuk raportohet për situata shqetësuese. Informacion më i detajuar do të përcillet në vijim. Monitorimi në terren vijon me prioritet mbrojtjen e pasurive kulturore dhe reagimin në kohë ndaj çdo risku të mundshëm. Versus.al

