Mbrëmjen e djeshme, forca të shumta speciale të RENEA-s, rrethuan zonën e Ujit të Ftohtë me qëllim kapjen e Inez Hajrullës i cili njihet edhe si “i forti i Vlorës” dhe është i shpallur në kërkim nga SPAK për disa ngjarje kriminale ku dyshohet se është përfshirë.
Pavarësisht blindimit të zonës, Hajrulla ka arritur të shpëtojë nga forcat RENEA. Gjatë kontrolleve të kryera në disa ambiente e pika të zonës që konsiderohet një prej bazave të tij, nuk u arrit të gjendej asgjë.
Pak ditë më parë, Hajrulla u përfol në media për një episod të pazakontë të ndodhur pikërisht në zonën ku RENEA kreu kërkimet mbrëmjen e djeshme. Efektivët e policisë zhvilluan një kontroll për shkak të muzikës së lartë në një nga lokalet e qytetit, ndërkohë që në telefon u doli pikërisht Hajrulla i cili pavarësisht se në arrati, pati guximin t’u jepte urdhra efektivëve të policisë duke u kërkuar të largoheshin menjëherë.
Ishte pikërisht menaxheri i këtij lokali ai i cili në celularin që i dha efektivëve ishte hapur whatsApp-i dhe në ekran po zhvillohej një videotelefonatë me Inez Hajrullën, i cili prej kohësh kërkohet nga SPAK.
I njohur në Vlorë me nofkën “Sakati”, Inez Hajrulla është një prej emrave të përmendur prej vitesh në kronikën e zezë të qytetit bregdetar. Ai i ka shpëtuar disa atentateve, ndërsa në një prej sulmeve më të rënda ndaj tij ka mbetur i gjymtuar. Versus.al

