AKTUALITET /

Shpërthim natën vonë te shtëpia e administratorit të PD-së në Memaliaj: Dy autorë me Range Rover, djegin makinën dhe arratisen

Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur në Memaliaj, duke dëmtuar banesën e administratorit të Qesaratit, Butjan Kapaj. Autorët dyshohet se kanë përdorur automjet për t’u larguar dhe më pas e kanë djegur atë për të humbur gjurmët.

Shkruar nga Versus
Shpërthim natën vonë te shtëpia e administratorit të
Butjan Kapaj

Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur fshatin Toç të Memaliajit në orët e para të mëngjesit të sotëm, pikërisht në oborrin e shtëpisë së Butjan Kapajt, administrator i Njësisë Administrative Qesarat dhe anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike.

Sipas informacionit paraprak të policisë, rreth orës 00:10, dy autorë kanë zbritur nga një Range Rover, kanë hedhur lëndën plasëse dhe janë larguar në drejtim të aksit Krahës-Memaliaj.

Në afërsi të fshatit Qesarat, ata dyshohet se kanë djegur automjetin dhe janë arratisur në këmbë, duke lënë pas vetëm dëme materiale në disa dritare të banesës.

Butjan Kapa, 67 vjeç, ka dëshmuar se qeni po lehte furishëm pak minuta para shpërthimit dhe se kishte dashur të dilte jashtë, por gruaja e tij e kishte ndaluar.

Ai përjashton çdo lidhje me detyrën e tij administrative apo rolin në PD, duke thënë se nuk ka konflikte të hapura me ndokënd.

Shërbimet e policisë po kryejnë kontrolle të përforcuara në zonë për kapjen e autorëve, ndërsa Grupi Hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Memaliaj / Informacion paraprak

Më datë 06.04.2026, rreth orës 00:10, në oborrin e banesës së shtetasit B. K., 67 vjeç, në fshatin Toç, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Autori/autorët, gjatë largimit, në aksin rrugor “Krahës–Memaliaj", në afërsi të fshatit Qesarat, dyshohet se kanë djegur automjetin me të cilin lëviznin dhe më pas janë larguar në këmbë.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin e zonës për lokalizimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon intensivisht veprimet hetimore për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë./Versus.al

Poll