
Kroacia ka asgjësuar 14 tonë e 700 kilogramë speca të kuq me origjinë nga Fieri, pasi analizat laboratorike zbuluan praninë e fungicidit proquinazid mbi nivelin e lejuar.
Autoritetet kroate kanë vendosur të asgjësojnë duke groposur një sasi prej 147 kuintalësh speca të kuq, të importuar nga Shqipëria, pasi rezultatet e analizave kanë evidentuar praninë e substancës aktive proquinazid në nivelin 0.050 mg/kg.
Rasti është pasqyruar në sistemin europian të alarmit për ushqimin dhe ushqimet për kafshë, RASFF, ku produkti shqiptar është evidentuar për shkak të pranisë së substancës kimike në një nivel që nuk lejohet për këtë kategori produkti.

Sipas të dhënave të bëra publike, proquinazidi është një substancë aktive e përdorur për luftimin e sëmundjeve kërpudhore. Në Shqipëri, kjo lëndë tregtohet në përbërjen e preparatit Talendo, i cili rezulton i regjistruar për përdorim deri në fund të vitit 2028.
Proquinazidi është i autorizuar për përdorim në kulturat e rrushit, ku përdoret për kontrollin e sëmundjeve kërpudhore, veçanërisht të mykut pluhur.
Pikërisht prania e kësaj substance në specat e kuq ka ngritur dyshime se preparati mund të jetë përdorur në mënyrë të gabuar nga fermeri, duke aplikuar në perime një produkt që është i destinuar për përdorim në vreshta.
Ky nuk është rasti i parë në ditët e fundit që një ngarkesë me speca me origjinë nga Shqipëria përballet me masa nga autoritetet kroate.
Më 7 shtator, një tjetër sasi specash me origjinë nga Shqipëria u asgjësua në Kroaci pasi analizat zbuluan praninë e një niveli të lartë të pesticidit acetamiprid.
Në atë rast, produkti ishte blerë në Shqipëri nga një fermer nga Maqedonia e Veriut, i cili më pas tentoi ta rieksportonte drejt Kroacisë.
Sipas të dhënave të raportuara, blerësi nuk kishte dijeni për përmbajtjen e pesticideve në produkt. Kontrolli i autoriteteve kroate evidentoi praninë e acetamipridit në nivele të larta dhe ngarkesa nuk u lejua të hidhej në treg./Versus.al

