
Avokati Saimir Visha ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Brendshme, Albana Koçiu pas deklaratës së bërë prej saj për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit. Gjatë një interviste të dhënë për ‘’Report Tv’’, Visha tha se nuk mundet që ministrja të pretendojë se dikasteri që ajo drejton, nuk ka përgjegjësi për ngjarjen e rëndë të ndodhur.
Sipas tij, Koçiu duhet të largohet sa më parë nga posti pasi policia është institucioni që ruan rendin dhe është në varësinë e ministrisë së Brendshe.
“Nuk mundet një pushtet ekzekutiv e përfaqësuar nga një ministre e Brendshme të thotë nuk ka Ministria e Brendshme përgjegjësi. Ministrja e Brendshme duhet të largohet një orë e më parë, drejtori i policisë duhet të largohet. Ministrja e Brendshme duhet të largohet me atë deklaratë që ka bërë. Nuk mund të thotë që ne institucioni që ruajmë rendin, nuk ka përgjegjësi. Po kush e ka përgjegjësinë? Kjo ministre e Brendshme është e papërgjegjshme me atë deklaratë që ka bërë”, tha avokati.
Kujtojmë se ditën e djeshme menjëherë pas ngjarjes, ministrja Koçiu reagoi nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale duke u shprehur se “Policia nuk ka përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave”. Ndërsa sot, KLGJ publikoi shkresa sipas të cilave u kishte kërkuar ndihmë prej vitesh institucioneve të policisë për vendosjen e sigurisë më të rreptë në gjykata. Versus.al







