Përgjatë javëve të fundit fshati turistik i Thethit u bë dhe kryefjala e mediave në vendin tonë! Jo për fluksin e turistëve, apo për ndonjë aktivitet, por për aksionin e Inspektoriatit Kombëtar të Territorit, të cilët me urdhër të kryeministrit Edi Rama “rrafshuan” të gjitha bujatinat të cilat ishin ngritur pa leje.
E në një kohë kur këtij aksioni i ka ardhur fundit dhe të gjitha ato shtëpiza druri të cilat ishin ngritur në kundërshtim me ligjin u shembën nga inspektorët, punonjësit e Bashkisë së Shkodrës kanë filluar ta lulëzojnë sërish fshatin e vogël turistik.
Zona e cila deri para pak ditësh ishte e mbuluar nga internet, tani, është pastruar dhe mbjellë me bar për t'i rikthyer gjelbërimin.
Ky aksion i IKMT me urdhër të kreut të qeverisë nga shumë u interpretua si një “prerje në besë” ndaj banorëve në këtë zonë, ku shumë prej tyre kishin lënë emigrimin dhe ishin rikthyer për të investuar në vendlindjen e tyre.
Por, vetë Edi Rama, disa ditë më parë theksoi se nuk ka prerë askënd në besë dhe se objektet e shembura ishin ndërtuar përgjatë kohëve të fundit.
Ai theksoi se premtimi i tij ka qenë legalizimi i pronave, të cilën e ka mbajtur, pasi siç shtoi deri më tani janë legalizuar 300 prona të banorëve.
“Mbetet për t’u parë se çfarë përgjegjësie do të marrë KLP lidhur me zonjën Gjeli, e cila nuk ka pranuar as të fillojë hetimin, bazuar në denoncimet e bëra dhe dua të them që në Theth janë goditur 40 subjekte, të cilat në një sërë rastesh kanë pasur më shumë sesa një ngrehinë, edhe nga dy dhe nga tre, dhe policia e shtetit, ka një numër të konsiderueshëm denoncimesh të bëra në prokurori, dhe s’ka marrë asnjë veprim.
Gjithsecili, policia e ka marrë pjesën e vet të përgjegjësie, ashtu sikundër bashkia e Shkodrës lidhur me IMT. Ka edhe një teori tjetër që e kishte nxjerrë në pah edhe një prift çuditërisht dje dhe u habita se si një njeri i Zotit kishte hyrë në këtë histori, duke folur për joshje e rrena, dhe më pas i premë në besë. Ne s’kemi prerë në besë askënd”, tha Rama më herët.







