
Një prej gjashtë personave të plagosur nga shpërthimi i bombulës së gazit në familjen Kola në fshatin Markatomaj të Lezhës ka ndërruar jetë, 12 ditë pas ngjarjes së rëndë.
Viktima është Saimir Kola, 40 vjeç, i cili kishte marrë plagë të rënda si pasojë e shpërthimit dhe ishte transportuar në Itali për të marrë trajtim të specializuar.
Pavarësisht ndërhyrjes dhe përpjekjeve të mjekëve italianë për t’i shpëtuar jetën, 40-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Mësohet se Kola kishte pësuar djegie në rreth 90% të sipërfaqes së trupit, duke qenë që prej momentit të ngjarjes në gjendje kritike shëndetësore.
Ngjarja ndodhi më 29 gusht, në banesën e familjes Kola në fshatin Markatomaj të Lezhës. Shpërthimi i bombulës së gazit shkaktoi plagosjen e gjashtë anëtarëve të familjes.
Pas ngjarjes, 40-vjeçari u dërgua për mjekim të specializuar në Itali, ku qëndroi për 12 ditë nën kujdesin e mjekëve. Megjithatë, gjendja e tij e rënduar nuk ka mundur të përmirësohet dhe ai ka ndërruar jetë./Versus.al

