
Është identifikuar 26-vjeçari shqiptar që u vra nga një biznesmen italian gjatë një tentative për grabitje në Centola, provinca e Salernos. Viktima është Rivaldo Rusi, i cili, sipas autoriteteve italiane, ishte pjesë e një grupi me tre shqiptarë që tentuan të vidhnin banesën e sipërmarrësit 60-vjeçar, Aurelio Valiante.
Rusi u gjet i groposur disa kilometra larg vilës, në një zonë të izoluar, pas dëshmisë së vetë autorit të ngjarjes, i cili pranoi se e kishte qëlluar me armë zjarri dhe më pas kishte fshehur trupin.
Ngjarja mbetet ende e mbuluar me mister. Sipas të dhënave të para, biznesmeni përdori një pushkë gjuetie, duke vrarë në vend një nga grabitësit dhe duke plagosur rëndë një tjetër. I treti arriti të arratisej.
Personi i plagosur, gjithashtu shqiptar dhe me precedentë penalë, ndodhet në gjendje kritike në një spital në Napoli dhe është arrestuar. Ai pritet të merret në pyetje sapo gjendja e tij të stabilizohet.
Aurelio Valiante, i shoqëruar nga avokati i tij, është paraqitur në Prokurori ku ka rrëfyer gjithçka: nga momenti i të shtënave deri te transportimi i trupit të 26-vjeçarit në një fuçi vere dhe varrosja e tij në pyll.
Ndërkohë, pas ngjarjes, dhjetëra shqiptarë – familjarë dhe miq të viktimës – u mblodhën pranë banesës së biznesmenit, duke krijuar tensione të forta.
Gruaja dhe vjehrra e të ndjerit, të pranishme kur u gjet trupi, shprehën dhimbjen: “Bëri një gabim, por nuk meritonte të vdiste kështu. U varros si kafshë. Na la një fëmijë pa baba.”
Prokuroria italiane po heton Valiante për vrasje, plagosje të rëndë dhe fshehje kufome. Autoritetet po punojnë për të rindërtuar të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe për të zbuluar nëse të shtënat ndodhën gjatë grabitjes apo teksa autorët po iknin nga vendngjarja./Versus.al







