Një dokument zyrtar i Parlamentit grek në vitin 2013, përmenden mes shumë personazhe të përfshira në grupe kriminale të përfshira në gjobëvënie, vrasje, pastrim parash etj, edhe emrin e shqiptarit nga Finiqi, Irakli Davell, i vrarë sot në Athinë.
Davella rezulton të jetë një personazh kontrovers, me lidhje të forta midis Athinës, Korfuzit e Sarandës, madje edhe pronar i pasurive të paluajtshme në këto vende.
Mes të tjerash, në dokument, pasqyrohen emrat e pjesëtarëve të disa grupeve.
Konkretisht në grupin e cilësuar ‘B’, ku përfshihen mafiozët grekë Vasilis Grivas (vrarë në 2017), Jorgos Litsas (vrarë në 2018) dhe Manolis Karaggianis (vrarë në 2018), rezulton edhe emri i Irakli N. Davella.
Mes emrave të këtij grupi, ku janë shumë shqiptarë të tjerë, bie në sy edhe ai i Evis Shytit, një 40-vjec shqiptar i arrestuar këtë vit si pjesëtar i një grupi gjobëvënësish, i përfshirë edhe në një rast shpërthimi eksplozivi në muajin mars në Pire.
Grupi ku përfshihet Davella rezulton i akuzuar për ‘organizatë kriminale’, ‘vrasje’, ‘tentativë vrasje’, ‘gjobëvënie’, ‘grabitje’, ‘tentativë mashtrimi’, ‘pastrim parash’ etj.
Nuk dihet se në cilën nga këto vepra të grupit ka qenë i përfshirë 47-vjeçari shqiptar.







