
Protesta e zhvilluar këtë të martë në Tiranë është shoqëruar me përplasje të forta mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, ndërsa situata ka vijuar të përshkallëzohet prej orës 14:00, kur nisi tubimi përpara Ministrisë së Arsimit.
Mësohet se një student ka mbetur i plagosur gjatë përplasjeve me policinë. Atij raportohet se i është thyer këmba dhe se ndodhet në gjendje kome.
Ndërkohë, tensionet në kryeqytet janë shtrirë edhe në zona të tjera. Gjatë mbrëmjes, protestuesit hynë në ambientet e Bashkisë së Tiranës, ku u shkaktuan dëme materiale, ndërsa më pas grupe protestuesish u shpërndanë në pika të ndryshme të qytetit.
Incidente janë raportuar edhe në zonën e Pazarit të Ri, ku është ndezur zjarr, ndërsa koshave të mbeturinave u është vënë flaka.
Përplasjet janë shoqëruar me ndërhyrje të përsëritura të policisë për shpërndarjen e protestuesve. Gjithashtu, ka raportime për përdorim force nga efektivët, me pretendime se disa protestues janë goditur me grushte dhe shkopinj gome.
Protesta, e cila nisi përpara Ministrisë së Arsimit, është zhvendosur gjatë ditës në disa zona të kryeqytetit, duke u shoqëruar me incidente, dëme materiale dhe të lënduar./Versus.al

