Një 42-vjeçar, Vilson Shima, u arrestua në flagrancë teksa po transportonte 10 kilogramë kanabis në zonën e Unazës së Madhe, pas një operacioni të policisë që kishte informacion për një person që po shpërndante lëndë narkotike me automjet dhe posedonte sende të kundërligjshme në banesë.
Sipas Policisë, Komisariati Nr. 4 e kishte ndjekur për një kohë të gjatë Shima-n si të dyshuar për përfshirje në trafikun e drogës.
Lënda narkotike ishte siguruar në zonën e Baldushkut dhe planifikohej të shitej pranë zonës së njohur si “Kafja e Rremës”.
Gjatë aksionit u sekuestruan 10 kilogramë kanabis në automjet, ndërsa në kontrollin e banesës së tij u gjetën 2 armë zjarri, 2 silenciatorë dhe municion luftarak.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Ndalesa”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen 10 kg kanabis, 2 armë zjarri pistoletë, 2 silenciator dhe municion luftarak, vihet në pranga 42-vjeçari.
42-vjeçari u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Unazë të Madhe, duke transportuar 10 kg kanabis me qëllim shitjen.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas që po transportonte lëndë narkotike me automjet dhe posedonte sende të kundërligjshme në banesë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ndalesa”.
Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi V. Sh., 42 vjeç, banues në Tiranë.
42-vjeçari u ndalua nga shërbimet e Policisë, në Unazë të Madhe, duke qarkulluar me një automjet, në të cilin gjatë kontrollit u gjetën, në total, 10 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen.
Më tej, gjatë kontrollit të banesës së tij, iu gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri pistoletë, 2 silenciator dhe municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Versus.al

