AKTUALITET /

Vrasja e Martin Canit, Apeli i Tiranës rihap hetimet, urdhëron kryerjen e 2 raporteve psikologjike për autorin dhe shokun e viktimës

Mario Pëlleshaj u dënua më 9 dhjetor 2025 nga Gjykata e Tiranës me 16 vite burg për vrasjen e Martin Canit dhe plagosjen e një të mituri tjetër

Shkruar nga Versus

Vrasja e Martin Canit, Apeli i Tiranës rihap hetimet, urdhëron

Gjykata e Apelit të Tiranës ka vendosur rihapjen e hetimit gjyqësor në procesin që lidhet me vrasjen e të miturit Martin Cani, duke urdhëruar kryerjen e dy raporteve individuale psikologjike për Mario Pëlleshajn dhe Luis Meçajn.

Vendimi u mor gjatë seancës së zhvilluar këtë të mërkurë, ndërsa gjykata shtyu shqyrtimin e çështjes për datën 10 qershor. Në seancën e ardhshme pritet të paraqitet edhe psikologia e ngarkuar me hartimin e raporteve, të cilat do të administrohen si prova në proces.

Mario Pëlleshaj u dënua më 9 dhjetor 2025 nga Gjykata e Tiranës me 16 vite burg për vrasjen e Martin Canit dhe plagosjen e një të mituri tjetër.

Ai u shpall fajtor për veprën penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj Martin Canit, si dhe për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë” ndaj një të mituri tjetër që mbeti i plagosur gjatë ngjarjes.

Për vrasjen e Martin Canit, gjykata caktoi dënimin me 12 vite burg, ndërsa për tentativën e vrasjes vendosi 10 vite burg. Pas bashkimit të dënimeve, Mario Pëlleshaj u dënua përfundimisht me 16 vite heqje lirie.

Ngjarja që tronditi opinionin publik ndodhi më 18 nëntor 2024, pas një konflikti mes të miturve që kishte nisur në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë dhe që më pas degradoi në një përplasje tragjike me pasoja fatale.

Me vendimin e fundit të Apelit, procesi gjyqësor vijon me administrimin e provave të reja, ndërsa pritet që raportet psikologjike të hedhin më shumë dritë mbi elementë të rëndësishëm të çështjes.Versus.al

Poll