
Tre persona janë proceduar penalisht në Dibër, në kuadër të hetimeve për zjarrin që përfshiu Parkun Kombëtar të Lurës.
Policia ka referuar materialet në Prokurori për K. S., 35 vjeç, S. L., 51 vjeç, të dy banues në Dibër, dhe A. L., 64 vjeç, banues në Tiranë. Ata po hetohen në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas autoriteteve, tre personat mbanin përkatësisht detyrat e shefit të monitorimit të parkut kombëtar dhe rojeve të mjedisit.
Ata dyshohet se nuk kanë marrë masat e nevojshme për ruajtjen, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen nga zjarri të territorit që kishin në përgjegjësi.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e zjarrit në Parkun Kombëtar të Lurës dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të proceduar.
Njoftimi
Lurë, Dibër/Vijojnë hetimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e ngarkuar me përgjegjësi në lidhje me zjarrin në parkun kombëtar të Lurës.
Procedohen penalisht, për shpërdorim të detyrave, shefi i monitorimit të parkut dhe 2 roje mjedisi.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për dokumentimin e rrethanave të zjarrit në parkun kombëtar të Lurës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit K. S., 35 vjeç, S. L., 51 vjeç, të dy banues në Dibër, dhe A. L., 64 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, me detyra përkatëse Shef monitorimi i parkut kombëtar dhe Roje mjedisi, nuk kanë marrë masat e nevojshme për ruajtjen, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen nga zjarri të territorit në përgjegjësinë e tyre. Si pasojë, janë djegur disa hektarë sipërfaqe pyjore.
Vijon intensivisht puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit/ëve të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme.

