Ky është Armand Shakaj, 41-vjeçari i dyshuar për vrasjen e Eglant Koçit, 34-vjeçarit nga Tirana, i cili rezulton i zhdukur prej datës 4 qershor.
Hetimet e deritanishme kanë ngritur dyshime të forta se i riu mund të jetë marrë peng, ndërsa policia ka shpallur në kërkim si autor të dyshuar 41-vjeçarin Armand Shakaj.
Familjarët denoncuan zhdukjen e Koçit më 5 qershor, pasi humbën kontaktet me të. Në kuadër të hetimeve, policia ka arrestuar 25-vjeçarin Enea Zyferi, i cili dyshohet se ka ndihmuar Shakajn në këtë ngjarje. Zyferi punonte si kamerier në një lokal në pronësi të 41-vjeçarit të shpallur në kërkim.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se është gjetur motori i 34-vjeçarit, si dhe ambienti ku dyshohet se ai është mbajtur peng. Për arsye hetimore, autoritetet nuk kanë bërë publike vendndodhjen e këtij ambienti.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë, hetuesit kanë konstatuar se nga ky vend largohet me automjet Armand Shakaj, ndërsa dyshohet se në mjet mund të ketë qenë edhe vetë Koçi. Automjeti është sekuestruar dhe gjatë ekzaminimeve paraprake janë konstatuar njolla gjaku, të cilat pritet t’i nënshtrohen analizave laboratorike.
Pavarësisht kontrolleve intensive të zhvilluara në periferi të Tiranës, zonën e Dajtit dhe në drejtim të Elbasanit, ende nuk është gjetur asnjë gjurmë e 34-vjeçarit.
Policia ka njoftuar se ka kryer kontrolle të imtësishme në ambientin ku dyshohet se është mbajtur i riu, si dhe në disa vende të tjera, por pa rezultat. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se i dyshuari ka lëvizur motorin e Koçit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht. Mjeti u gjet dy ditë më parë në rrugën “5 Maji” në Tiranë.

