Autoritetet franceze kanë ndaluar tre vajza të reja, të moshës 18, 19 dhe 21 vjeç, nën akuzën se po planifikonin një sulm terrorist në hapësira publike në Paris, vetëm pak ditë para përkujtimit të dhjetëvjetorit të sulmeve të 13 nëntorit 2015 në sallën “Bataclan” dhe në disa vende të tjera të kryeqytetit francez.
Lajmi u konfirmua nga Zyra Kombëtare e Prokurorit Antiterrorizëm (PNAT), pas raportimeve të mediave franceze RTL dhe Le Parisien.
Arrestime në tre qytete të ndryshme
Sipas burimeve zyrtare, të tre vajzat janë shtetase franceze, që besohet se janë radikalizuar kohët e fundit. Ato u arrestuan në Lyon, Vierzon dhe Villeurbanne, në operacione të koordinuara nga Drejtoria e Përgjithshme për Sigurinë e Brendshme (DGSI).
Pas marrjes në pyetje, vajzat u vendosën në paraburgim me urdhër të gjykatës. Hetuesit kanë ngritur ndaj tyre akuzën për “pjesëmarrje në një organizatë terroriste me qëllim përgatitjen e krimeve kundër personave”.
Ky është rasti i gjashtë i një sulmi të parandaluar në Francë që nga fillimi i vitit 2025.
Shënjestra: bare dhe salla koncertesh në Paris
Sipas të dhënave paraprake, grupi kishte planifikuar të godiste bare dhe salla koncertesh në Paris, megjithëse ende nuk është identifikuar një objektiv konkret.
Hetimet zbuluan se “truri” i grupit ishte 19-vjeçarja, e cila konsiderohet si organizatorja kryesore. Ajo është e papunë dhe kishte braktisur shkollën, ndërsa është identifikuar përmes kontakteve të saj me një militant islamist.
Sipas raportimeve të RTL, ajo kishte diskutuar me të për blerjen e një pushke automatike “Kalashnikov” dhe ndërtimin e rripave vetëvrasës. Autoritetet besojnë se vajzat janë takuar të paktën një herë për të diskutuar planin, gjë që përforcon dyshimet për ekzistencën e një qëllimi real për të vepruar.
Avokatët: “Të shmangen përfundimet e nxituara”
Megjithatë, avokatët mbrojtës kërkojnë kujdes dhe maturi në gjykim.
“Hetimi paraprak do të ndihmojë të përcaktojmë se çfarë është reale dhe çfarë jo. Duhet shmangur çdo përfundim i nxituar,” – tha Thibault Bailly, avokati i 21-vjeçares, e cila vuan nga aftësi të kufizuara fizike dhe ka një histori të pastrehësisë.
Nga ana tjetër, Jean-Baptiste Riolacci, avokati i 18-vjeçares, deklaroi se klientja e tij është “një vajzë shumë e papjekur”, dhe se deklaratat e saj mund të jenë rezultat i fantazive naive, më shumë sesa i një kërcënimi të vërtetë terrorist.
Hetimet për rastin po vijojnë nën drejtimin e prokurorisë antiterrorizëm, ndërsa autoritetet franceze theksojnë se vendi mbetet në nivel të lartë alarmi për shkak të rritjes së kërcënimeve terroriste gjatë muajve të fundit.
