Ish-CEO i gjigantit të modës Abercrombie & Fitch (A&F), Mike Jeffries dhe partneri i tij britanik janë arrestuar dhe po përballen me akuza për trafikim seksual.
Dy burrat u arrestuan mëngjesin e së martës, së bashku me një bashkëpunëtor të dyshuar, i cili akuzohet se ka vepruar si ndërmjetës.
Arrestimi vjen pas një hetimi të nisur nga FBI vitin e kaluar, i nxitur nga zbulimet se Mike Jeffries dhe partneri i tij shfrytëzonin dhe sulmonin seksualisht burrat në ngjarjet që ata organizonin në rezidencat e tyre në Nju Jork dhe në hotele në mbarë botën.
Sipas hetimit të BBC-së, ekzistonte një rrjet i sofistikuar ndërmjetësuesish dhe rekrutuesish përgjegjës për gjetjen e burrave për këto ngjarje. Jeffries dhe Smith kanë mohuar me forcë çdo përfshirje ose keqbërje.
Arrestimi u konfirmua nga Brad Edwards, një avokat që përfaqëson disa nga viktimat e Jeffries dhe Smith.
“Këto arrestime janë një hap i parë i rëndësishëm në vënien e drejtësisë ndaj viktimave të shumta që u abuzuan përmes këtij rrjeti të trafikimit të qenieve njerëzore, i cili vepronte për shumë vite nën mbulesën e Abercrombie”, tha ai.
FBI dhe prokurorët pritet të japin më shumë detaje në një konferencë për shtyp në orët në vijim.
Dëshmi tronditëse
Më shumë se 10 të rinj kishin folur për BBC disa kohë më parë, duke dëshmuar pak a shumë histori të ngjashme: Ndërmjetësi, i quajtur James Jacobson, kryente urdhrat e marra nga Jeffries dhe Smith, duke gjetur djem të rinj dhe të bukur, për modeling.
Siç deklaroi një nga viktimat për gazetarët e BBC-së, rreth vitit 2011 ai po përpiqej të siguronte jetesën duke marrë pjesë në modeling.
Edhe pse heteroseksual, burri në fjalë ra dakord me Jacobson për të udhëtuar në Marrakesh , ku do të kërcente në një festë dhe do të zhvishej. Jacobson i kërkoi atij të performonte figurat e kërcimit gjatë një "audicioni" paraprak dhe ishte i kënaqur me atë që pa.
“E bëra atë që më kërkoi”, rrëfeu dëshmitari , “por me neveri. Isha në borxhe dhe duhej të punoja për të mbajtur familjen. Dhe pasi pjesa më e vështirë – siç mendova – kishte kaluar, shkova në Marrakesh. Atje, teksa po kërceja, Mike Jeffries u përpoq të më puthte. Isha në një pozicion shumë të vështirë. U përpoqa të ikja pa e ofenduar dhe gjeta një vend të fshehtë në një nga dhomat e pasme të shtëpisë ku po bëhej festa. Më zuri gjumi, por kur u zgjova, gjeta një prezervativ. Unë mendoj se në shampanjën që piva ishte hedhur drogë. Dhe me siguri u përdhunova ndërsa isha duke fjetur. Unë kurrë nuk mund ta di saktësisht se çfarë më ndodhi atë natë' është i riu për BBC
Shkëmbimi ishte shuma të mëdha parash, por edhe një mundësi e supozuar për karrierë si modelues.
Në fakt, Jeffries dyshohet se kishte krijuar një mekanizëm të tërë menaxhimi për haremin e burrave që Jacobson solli për të, kudo që kishte nevojë.
Kishte, për shembull, punonjës, me uniforma Abercrombie & Fitch , të cilët mbikëqyrnin ekzekutimin e "performancave" nga të rinjtë, nga fillimi në fund - edhe gjatë orgjive aktuale seksuale . Ky staf ishte gjithashtu përgjegjës për pagesën e modeleve në vend dhe me para në dorë.
Kjo kompani e veçantë është një nga më të fuqishmet dhe më të njohurat, pasi ka një rrjet prej më shumë se 850 dyqanesh në mbarë botën.
Sipas raportit të BBC-së, disa muaj para largimit të Jeffries - që më parë ishte lidhur me një rënie në shitjet e Abercrombie & Fitch dhe nevojën për një ndryshim në udhëheqjen e saj - një investitor strategjik i kompanisë kishte ndërmarrë veprime ligjore kundër kompanisë , duke denoncuar sjelljet e Jeffries. /Versus.al

