Në seancën e sotmë në Kuvendin e Kosovës ku pritej të konstituohej përbërja e parlamentit të ri dhe të formohej qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ka pasur një ndërprerje.
Pasi kryeministri Albin Kurti dha dorëheqjen nga posti i tij pasi ligji e detyron të bëjë një gjë të tillë për t’u betuar si deputet, dorëheqje dhanë edhe anëtarët e tjerë të qeverisë aktuale.
Kurti reagoi me anë të një statusi në rrjetet sociale ku shkruan se kjo është një situatë e paparë në historinë e Kosovës dhe se dështimi i seancës është një sulm ndaj zgjedhjeve demokratike.
“Deputetët e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”- shkruan Kurti.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ndërpreu mbledhjen për shkak të mosmiratimit të raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Partitë opozitare argumentuan se anëtarët e Qeverisë në detyrë – që janë zgjedhur deputetë – nuk dorëzuan me kohë dorëheqjet e tyre nga postet ekzekutive.
Deputetët s’arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit. Versus.al








