
E veshur me një bluzë ku shkruhej “Nëna kundër sistemit”, Diana Hrka qëndron e palëkundur para Parlamentit të Serbisë në Beograd. Në mëngjesin e së dielës, më 2 nëntor, ajo nisi grevën e urisë, duke e kthyer dhimbjen për humbjen e djalit të saj në një akt rezistence kundër padrejtësisë.
Diana është nëna e Stefan Hrka, njërit prej 16 personave që humbën jetën në shembjen e çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në nëntor 2024, një nga tragjeditë më të rënda që ka goditur Serbinë vitet e fundit.
E rrethuar nga studentë dhe qytetarë që e mbështesin, ajo u përqafua me lot në sy me njërin prej tyre në momentin që shpalli vendimin e saj: të mos hajë derisa shteti të reagojë.
“Grevën e urisë do ta vazhdoj derisa autoritetet të plotësojnë tre kërkesat e mia. Së pari, të merren në pyetje dhe të ndalohen të gjithë të dyshuarit për shembjen e çatisë. Së dyti, të lirohen studentët e arrestuar në mënyrë të paligjshme. Së treti, presidenti të shpallë zgjedhje”, tha Hrka.
Pas një viti protestash, dhjetëra kërcënimesh dhe presionesh ndaj saj, askush nuk është mbajtur ende përgjegjës për tragjedinë që mori jetët e 16 personave. Greva e saj e urisë shihet si faza e re e betejës për drejtësi, një akt ekstrem pas dymbëdhjetë muajsh të pandëshkueshmërisë së plotë.
Aktivistë dhe familjarë të tjerë të viktimave e kanë quajtur veprimin e Dianës “zëri i fundit që shteti nuk mund ta injorojë më”.
Nëna që humbi gjithçka, por refuzon të heshtë, ka bërë të qartë se greva do të vazhdojë deri në reagimin e parë konkret të autoriteteve.
Në sheshin përballë Kuvendit, aty ku fjalët e saj kumbuan mes heshtjes së mëngjesit, Diana Hrka nuk kërkoi mëshirë, kërkoi drejtësi.
Dijana Hrka, u majici sa natpisom “Mama protiv mašinerije” za Mašinu govori o započetom štrajku. Ona je ranije danas sprečena da priđe Skupštini gde je planirala da bude tokom svog štrajka glađu. pic.twitter.com/dJLyBbMn1o
— Mašina (@MasinaRS) November 2, 2025
Vendimi i nënës për të nisur grevë urie konsiderohet si akti i fundit i rezistencës, pas një viti frikësimesh dhe presionesh nga autoritetet, pa u mbajtur ende askush përgjegjës për tragjedinë.
Ky zhvillim vjen vetëm disa ditë pas një tubimi të madh me rreth 100 mijë qytetarë në Novi Sad, të cilët kërkuan përgjegjësi dhe transparencë nga institucionet. Veprimi i Hrka-s shihet si kulmi i një beteje të gjatë dhe të vështirë për drejtësi dhe marrje përgjegjësish.
