BOTA /

"Hetime për literaturë LGBT” / Kontrolle dhe ndalime në shtëpinë më të madhe botuese ruse

Autoritetet bastisin “Eksmo”, ndalohet për t’u marrë në pyetje CEO-ja Evgheni Kapiev; hetimet lidhen me akuza për “ekstremizëm”

Shkruar nga Versus

"Hetime për literaturë LGBT” / Kontrolle dhe ndalime

Policia ruse ka zhvilluar kontrolle në selinë e shtëpisë më të madhe botuese në vend, Eksmo, në kuadër të një hetimi që lidhet me publikimin e literaturës me përmbajtje LGBT.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Tass, autoritetet kanë ndaluar për ta marrë në pyetje administratorin e përgjithshëm të kompanisë, Evgheni Kapiev, në kuadër të “veprimeve hetimore” për një çështje që klasifikohet si “ekstremizëm kriminal”.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Kremlini ka ashpërsuar ndjeshëm ligjet kundër komunitetit LGBTQ+, si pjesë e politikave të presidentit Vladimir Putin për promovimin e të ashtuquajturave “vlera tradicionale”. Kufizimet janë forcuar edhe më shumë pas nisjes së luftës në Ukrainë, duke u shoqëruar me censurë të rreptë në media dhe ndalimin e asaj që autoritetet ruse e konsiderojnë “lëvizja LGBT”, e shpallur si ekstremiste.

Duke cituar burime nga forcat e rendit, Tass raporton se kontrolli në ambientet e Eksmo është kryer në kuadër të një çështjeje penale që lidhet me shpërndarjen e literaturës LGBT. Lajmi është konfirmuar edhe nga media të tjera dhe kanale pranë autoriteteve.

Një rast i ngjashëm është regjistruar edhe vitin e kaluar, kur më shumë se dhjetë punonjës të Eksmo u arrestuan gjatë një hetimi të ngjashëm, pasi autoritetet pretenduan se kishin identifikuar “propagandë LGBT” në disa libra të botuar nga një filial i kompanisë.

 

Tags:

rusi lgbt

Poll