Pas rreth 4 orësh, kanë përfunduar bisedimet në Arabinë Saudite midis delegacioneve amerikane dhe ruse për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Kreu i fondit të pasurisë sovrane të Rusisë, Kirill Dmitriev , tha për Channel One të TV shtetëror rus: "Një dialog shumë pozitiv, konstruktiv ka filluar. Ndryshe nga administrata e Biden, e cila kurrë nuk u përpoq të dëgjonte pozicionin e Rusisë, kjo ishte një përpjekje shumë e qartë për të filluar dialogun, për të kuptuar pozicionin e Rusisë dhe për të diskutuar gjërat për të cilat biem dakord”.
Dmitriev shtoi: Ka shumë pika për të cilat biem dakord... ne u njohëm shumë më mirë... ne e kuptojmë njëri-tjetrin shumë më mirë tani.
Ndihmësi i Putinit, Yuri Ushakov, është shprehur për televizionin shtetëror rus për bisedimet: "Jo keq, jo keq... është e vështirë të thuhet nëse [Rusia dhe SHBA] po afrohen më shumë, por kjo është ajo që diskutuam... ishte një diskutim shumë serioz i të gjitha çështjeve që donim të preknim... ne kemi rënë dakord të marrim parasysh interesat e njëri-tjetrit dhe të zhvillojmë marrëdhënie dypalëshe, pasi Moska dhe Uashingtoni janë të interesuar për këtë."
Ushkov shtoi se ata ranë dakord që një "ekip i veçantë negociatorësh do të vendosë kontakte në kohën e duhur".
Nga ana amerikane, ekipi negociator përfshinte Sekretarin e Shtetit të SHBA Mark Rubio, këshilltarin e Trumpit për sigurinë kombëtare, Mike Walz dhe të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Delegacioni rus u përfaqësua nga ministri i Jashtëm Sergei Lavrov dhe këshilltari i Kremlinit për politikën e jashtme Yuri Ushakov. Gjithashtu, në delegacionin rus ishte edhe kreu i Fondit të Investimeve Ruse, Kirill Dmitriev./Versus.al








