Përplasja mes Izraelit dhe Iranit nuk lindi sot, por i ka rrënjët që nga viti 1979, pas Revolucionit Islamik që përmbysi shahun e Iranit, Mohammed Reza Pahlavi — që ishte aleat i Perëndimit dhe që mbante marrëdhënie të mira me Izraelin.
Me ardhjen e Ayatollah Ruhollah Khomeinit, Irani ndryshoi kurs. Qeveria e re e shpalli Izraelin “armik të Islamit” dhe u angazhua që të mbështeste lëvizjet që kundërshtonin shtetin hebre, si Hezbollahu në Liban, Hamas dhe Jihadi Islamik.
Që nga vitet 1980, Irani ka përdorur këto organizata si përfaqësues (proxy) për të sulmuar Izraelin, pa u përfshirë drejtpërdrejt, ndërsa Izraeli i përgjigjej me sulme ajrore, vrasje të shënjestruara dhe sabotime, veçanërisht që nga fillimi i programit bërthamor të Iranit.
Një nga pikat që rriti tensionet ishte programi bërthamor i Iranit, që Izraeli e sheh si rrezik ekzistencial. Që nga fillimi i viteve 2000, Izraeli ka ndërmarrë aksione të fshehta — sulme kibernetike, vrasje të shkencëtarëve bërthamorë, dhe bombardime — për të parandaluar që Irani të arrijë armën atomike.
Një tjetër moment që përshkallëzoi situatën ishte vrasja e Qassem Soleimani, kreut të Gardës Revolucionare Iraniane, nga SHBA, në janar 2020 — veprim që u pa nga Irani si sulm i drejtpërdrejtë dhe që rriti rrezikun e një lufte të madhe.
Sot, përplasja Iran-Izrael ka arritur kulmin, me sulme të ndërsjella me raketa, dronë, dhe sulme ajrore që rrezikojnë të përfshijnë të gjithë Lindjen e Mesme. Një konflikt që filloi si “luftë proxy” tani po kthehet në përplasje të hapur, që vë përballë dy fuqitë më të mëdha ushtarake të rajonit.
Fuqitë që qëndrojnë pas perdes – SHBA, Arabia Saudite, Turqia, Rusia dhe Hezbollahu
Shtetet e Bashkuara:
SHBA që nga fillimi e ka parë Iranin si rrezik strategjik, si për aleatin e tyre kryesor, Izraelin, ashtu edhe për stabilitetin e Lindjes së Mesme. Uashingtoni e ka mbështetur pa rezerva Izraelin, si ushtarakisht, ashtu edhe diplomatikisht. Vrasja e Qassem Soleimani nga forcat amerikane, sanksionet që paralizuan ekonominë iraniane dhe presioni që SHBA ushtron ndaj Iranit që të heqë dorë nga programi bërthamor, tregojnë qartë që roli i Shteteve të Bashkuara qëndron si garant i sigurisë për Izraelin, por edhe si përpjekje për të frenuar ndikimin e Iranit.
Arabia Saudite:
Riadi e sheh Iranin si rivalin kryesor shiit që kërcënon ndikimin suni. Arabia Saudite, që konkurron me Iranin për lidershipin e botës myslimane, ka mbështetur qëndrimin e SHBA dhe Izraelit, edhe pse këtë nuk e deklaron gjithmonë. Arabia Saudite dhe vendet e Gjirit (Emiratet, Bahrejni) e shohin Iranin si rrezik që përdor organizata si Hezbollahu, Houthis, dhe milici shiite irakiane për të zgjeruar ndikimin e tij.
Turqia:
Ankaraja mban qëndrim ambigu, që luhatet mes qëndrimeve pragmatike dhe retorikës populiste. Turqia, që ka ambicie si fuqi rajonale, shpesh konkurron me Iranin për ndikim, veçanërisht në Irak, Siri dhe Kaukaz. Por, nga ana tjetër, Turqia ka interesa energjetike dhe tregtare me Iranin, që e detyrojnë të mbajë edhe kanale dialogu me Teheranin.
Rusia:
Rusia ka forcuar ndikimin e saj në Lindjen e Mesme, veçanërisht pas ndërhyrjes ushtarake që kreu në Siri (2015) për të mbrojtur Bashar Al-Assad. Irani dhe Moska kanë bashkëpunuar që nga fillimi i luftës siriane. Megjithatë, qëllimet e tyre nuk përputhen plotësisht; Rusia përdor Iranin si mjet për të sfiduar ndikimin e SHBA, pa lejuar që Irani të bëhet forca dominuese që vendos rregullat.
Hezbollahu:
Hezbollahu i Libanit, organizatë Shiite e mbështetur nga Irani, që nga viti 1982 ka shërbyer si krahu i zgjatur i Iranit në Levant. Me raketa, milici të organizuara dhe ndikim të gjerë social, Hezbollahu përbën një nga sfidat kryesore të Izraelit, që e sheh si rrezik të përhershëm nga Veriu. Hezbollahu ka vepruar si pika e parë e presionit që Irani ushtron ndaj Izraelit, pa u ekspozuar plotësisht, dhe si mjet që përdor Teherani për të zgjeruar ndikimin e tij.
Lindja e Mesme shndërrohet në një fushë shahu gjeopolitike, ku fuqitë e mëdha, organizatat paraushtarake dhe shtetet rivale lëvizin gurët e tyre me qëllimin që të mbrojnë interesat, të rrisin ndikimin dhe të dobësojnë kundërshtarët. Versus.al







