
Një burrë 39-vjeçar nga Rochester, në shtetin e New York-ut, është arrestuar nga autoritetet federale amerikane, pasi akuzohet se ka kërcënuar me vrasje Donald Trump Jr., djalin e madh të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Sipas prokurorëve federalë, James Gerald Eckert Jr. përdori emrin e tij të vërtetë për të publikuar një sërë mesazhesh kërcënuese në dhomën e bisedave të podkastit "Triggered with Donald Trump Jr."
Në një prej mesazheve, ai dyshohet se shkroi: “Do të të vras... Do ta vras personin në ekran”, ndërsa, sipas aktakuzës, përdori vazhdimisht gjuhë fyese dhe kërcënuese.
Kërcënimet u zbuluan më 18 qershor nga një agjent i Shërbimit Sekret të SHBA-së, i cili ishte në detyrë në rezidencën e Donald Trump Jr., duke bërë që autoritetet të nisin menjëherë hetimet.
Hetuesit bëjnë të ditur se, përveç mesazheve në internet, 39-vjeçari publikoi edhe një video tetëminutëshe në platformën Rumble, ku shfaqej duke ndjekur drejtpërdrejt podkastin e Donald Trump Jr. dhe duke lëshuar kërcënime të tjera ndaj tij.
Pas verifikimit të materialeve dhe identifikimit të autorit, autoritetet federale e arrestuan Eckert Jr., i cili tashmë përballet me akuza për kërcënime ndaj një personi të mbrojtur në nivel federal. Rasti është nën hetim nga organet kompetente amerikane./Versus.al

