
Autoritetet franceze kanë arrestuar pesë të dyshuar pas ngjarjes së mbajtjes peng të një gjykatëse dhe nënës së saj për rreth 30 orë në një skemë kërkimi shpërblimi me kriptomonedhë.
Prokurori i Lyonit, Thierry Dran, tha për Agence France-Presse se katër burra dhe një grua janë ndaluar, tre gjatë natës dhe dy të tjerët të dielën në mëngjes.
Personat u vunë në pranga pas gjetjes së gjykatëses 35-vjeçare dhe nënës së saj 67-vjeçare në një garazh në departamentin Drôme, në jug-lindje të Francës, të premten në mëngjes. Të dy gratë u gjetën të lënduara.
Dy nga të arrestuarit gjatë natës ishin duke u përpjekur të iknin me autobus për në Spanjë, tha një burim pranë hetimeve, që kërkoi të mbetej anonim. Autoritetet vazhdonin të kërkonin për të tjera persona të dyshuar, sipas një burimi të dytë, i cili shtoi se gruaja e arrestuar ishte partnerja e njërit prej katër burrave të tjerë.
Një kërkim masiv policor, ku morën pjesë 160 oficerë, u ndërmor pasi një prej të afërmve të gjykatëses mori një mesazh dhe një foto të partneres së tij nga pengmarrësit, të cilët kërkonin shpërblim në kriptomonedhë.
Sipas Dran, pengmarrësit kërcënonin të mutilonin viktimat nëse pagesa nuk bëhej shpejt, por prokurori nuk specifikoi shumën e kërkuar.
Dy gratë arritën të çliroheshin vetë dhe të thërrisnin për ndihmë duke goditur derën e garazhit. “Të alarmuar nga zhurma, një fqinj ndërhyri dhe arriti të hapë derën, duke lejuar dy viktimat tona të shpëtonin,” tha Dran. Ato u shpëtuan të premten në mëngjes në Bourg-lès-Valence, pa asnjë pagesë të kryer.
Autoritetet franceze po përballen me një seri raste të ngjashme të rrëmbimeve dhe tentativave për shantazh, duke targetuar familjet e individëve të pasur të përfshirë në kriptomonedha.
Në janar 2025, rrëmbyesit morën peng shefin francez të kriptomonedhave, David Balland, dhe partneren e tij. Balland, bashkëthemelues i kompanisë së kriptos “Ledger”, e cila vlerësohej mbi 1 miliard dollarë, u kërcënua me prerjen e gishtit dhe kërkesa për shpërblim ishte e lartë. Ai u lirua ditën tjetër, ndërsa partnerja e tij u gjet e lidhur në bagazhin e një makine jashtë Parisit.
Në maj, babai i një drejtuesi të një kompanie kripto me bazë në Maltë u rrëmbye nga katër persona të maskuar në Paris. Viktima, të cilit i u prerë gjithashtu gishti nga rrëmbyesit, për të cilin kërkohej një shpërblim prej disa milionë eurosh, u lirua pas 58 orësh gjatë një sulmi të forcave të sigurisë. /VERSUS

