I përballur me valë kritikash dhe thirrjesh për dorëheqje, ministri i Shëndetësisë i administratës Trump, Robert Kennedy Jr, mbrojti me ngulm masat e tij drastike, përfshirë shkarkimin e bujshëm të drejtoreshës së Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe kufizimin e qasjes në vaksina, gjatë një seance të tensionuar në Senatin amerikan.
“Ne kemi nevojë për një drejtim të ri, të guximshëm dhe kompetent. CDC-ja ka dështuar,” deklaroi Kennedy Jr përpara senatorëve, duke justifikuar ndryshimet radikale që ka ndërmarrë në politikat shëndetësore të vendit.
Shkarkime, kufizime dhe akuza për dezinformim
Që kur mori detyrën, Robert Kennedy Jr, nipi i presidentit të ndjerë John F. Kennedy dhe figurë e njohur për qëndrimet kundër vaksinave, ka pushuar nga puna ekspertë të njohur, ka ndaluar fondet për zhvillimin e vaksinave të reja, dhe ka kufizuar qasjen në vaksinat kundër COVID-19.
Lëvizjet e tij kanë shkaktuar trazira në botën mjekësore, ndërsa më shumë se 1.000 punonjës dhe ish-punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë i kanë dërguar një letër të hapur ku e akuzojnë për rrezikimin e shëndetit publik dhe i kërkojnë të largohet menjëherë nga detyra.
Dorëheqje e detyruar apo spastrime politike?
Kriza u thellua javën e kaluar, kur Kennedy shkarkoi Susan Monarez, drejtoreshën e CDC-së, vendim që u dënua gjerësisht nga komuniteti shkencor dhe Partia Demokratike. Sipas avokatëve të Monarez, ajo u detyrua të largohej për shkak se refuzoi të nënshkruante “urdhra të rrezikshëm dhe jo-shkencorë” të ministrit.
Në seancën dëgjimore, Kennedy u përpoq ta minimizonte çështjen:
“E pyeta nëse ishte një person i besueshëm dhe ajo tha jo. Kaq,” u shpreh ai, duke irrituar më tej senatorët demokratë.
Senatori Ron Wyden e quajti veprimin një abuzim me pushtetin dhe i kërkoi Trump-it që ta shkarkojë Kennedy-n përpara se të ketë “më shumë viktima.”
Rreziku i rikthimit të epidemive
Shkencëtarët paralajmërojnë se masat e Robert Kennedy Jr mund të nxisin një krizë të re shëndetësore, pasi besimi i publikut në vaksinat po lëkundet. Sipas të dhënave të fundit, sëmundje të rrezikshme si fruthi, që dikur ishin eliminuar, janë rikthyer me viktima në SHBA gjatë vitit 2025.
Kjo situatë ndodh ndërsa çështja e vaksinimit është kthyer në një betejë politike të ashpër mes republikanëve dhe demokratëve. Shteti konservator i Floridës ka shpallur planet për të anuluar çdo detyrim për vaksinim, ndërsa shtetet demokrate si Kalifornia kanë paralajmëruar aleanca për të mbrojtur politikën e vaksinimit shkencor. / Versus/







