BOTA /

Mitsotakis paralajmëron Maqedoninë e Veriut: Harrojeni BE-në, nëse nuk zbatoni Marrëveshjen e Prespës

Mitsotakis ka qenë i prerë ndaj Maqedonisë së Veriut me paralajmërimin se nëse nuk zbatohet marrëveshja e Prespës, atëherë rrugët e vendit drejt BE, do jenë të mbyllura.

Shkruar nga Versus
Mitsotakis paralajmëron Maqedoninë e Veriut: Harrojeni BE-në,
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka paralajmëruar haptas Maqedoninë e Veriut përsa i takon zhvillimeve të fundit në politikën e vendit fqinj ku të zgjedhurit si president dhe kryeministër, kanë treguar se nuk kanë ndërmend të respektojnë “Marrëveshjen e Prespës” për riemërtimin e shtetit.

Mitsotakis e bëri të qartë se dyert e Europës do të jenë të mbyllura për Maqedoninë e Veriut, nëse nuk respektohet marrëveshja e Prespës.

“Kur dikush e tërheq litarin, duhet të jetë gati dhe të këputet. Dhe nëse del nga kursi i rënë dakord, le ta dijë se do ta gjejë të mbyllur rrugën drejt Europës, ​​rrugë e cila kalon nga Greqia dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Mitsotakis.

Risjellim në vëmendje se Marrëveshja e Prespës detyroi Maqedoninë e Veriut të zbatojë emrin e ri të shtetit si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Marrëveshja i dha fund kontestit shumëvjeçar duke i hapur rrugën përpjekjeve të shtetit të vogël për integrim në BE dhe NATO.

Por presidentja Gordana Silanovska-Davkova gjatë ceremonisë së betimit përdori vetëm termin "Maqedoni".

Në një reagim të presidencës thuhej se Presidentja maqedonase në daljet e saj publike ka të drejtë të përdorë emrin 'Maqedoni', si akt i së drejtës personale për vetëvendosje dhe vetidentifikim, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane.

Edhe kryeministri i Maqedonisë përdori termin "Maqedoni" duke ngjallur kështu reagimin e Athinës zyrtare.

Poll