BOTA /

Nga “Mbretëresha e Bletëve” në “Gjyshe Gango”: 20 vjet burg për gruan në krye të rrjetit të kokainës 80 milionë paundësh

Me nofkën “Gjyshe Gangstere”, ajo përdorte të ardhurat për pushime luksoze në Dubai, Bahrein e Turqi, ku planifikonte edhe ndërhyrje estetike, por nuk mungonin as shpenzimet ekstravagante si zinxhir Gucci prej 400 paundësh për macen e saj.

Shkruar nga Versus

Nga “Mbretëresha e Bletëve” në “Gjyshe

 Londra është tronditur nga një rast që duket i marrë nga një film krimi: një grua 65-vjeçare, e njohur në lagje si “Mbretëresha e Bletëve”, u shpall fajtore për drejtimin e një prej rrjeteve më të mëdha familjare të shpërndarjes së kokainës në Mbretërinë e Bashkuar, me një vlerë që kap shifrën marramendëse prej mbi 80 milionë paundësh.

Deborah Mason, një e moshuar nga Tufnell Park në veri të Londrës, u dënua me 20 vite burg për rolin e saj si bos i trafikut të drogës, duke transformuar shtëpinë e saj në një qendër operacionale të organizatës kriminale. Por ajo që e bën këtë histori edhe më të pabesueshme është fakti se Mason kishte përfshirë në aktivitet pothuajse të gjithë familjen: fëmijët, motrën, partnerët e tyre dhe një mike të afërt. Madje, sipas dëshmisë së motrës në gjyq, dërgesat e drogës shpesh shndërroheshin në “udhëtime familjare”, ku nipërit ndihmonin me navigimin.

Gjatë vetëm një viti, rrjeti kriminal ka shpërndarë rreth një ton kokainë, ndërsa fitimet ditore për secilin anëtar kapnin shifrën prej mbi 1,000 paundësh. Në pamje filmike të publikuara nga policia gjatë arrestimit në maj 2024, Mason dëgjohet e shokuar duke pyetur: “Po më arrestoni mua? Mos bëni shaka...”.

Me nofkën “Gjyshe Gangstere”, ajo përdorte të ardhurat për pushime luksoze në Dubai, Bahrein e Turqi, ku planifikonte edhe ndërhyrje estetike, por nuk mungonin as shpenzimet ekstravagante si zinxhir Gucci prej 400 paundësh për macen e saj.

Policia tha se rrjeti kishte shtrirje në qytete si Bradford, Leicester, Birmingham, Bristol dhe Cardiff, ndërsa komunikimi mes anëtarëve bëhej përmes aplikacionit të enkriptuar Signal, i cili u desh muaj të tërë që hetuesit ta deshifronin. Në shtëpitë e disa prej të arrestuarve u gjetën mbi 15,000 paund, ndërsa Mason përfitonte në mënyrë të paligjshme edhe nga ndihmat sociale për një shumë prej mbi 50,000 paund.

Një foto e dorëzuar në gjykatë e tregonte atë duke mbajtur 7.000 paund në dorë, krahas një mesazhi ku shprehej: “Shpresoj të arrij 90 mijë deri në fund të vitit”.

Në total, gjashtë anëtarë të familjes u dënuan me mbi 85 vite burg, ndërsa njëra nga të pandehurat, Chloe Hodgkin, e cila është shtatzënë, do të dënohet më vonë. Edhe Kendall dhe Reggie Bright, të afërm të Mason, pranuan fajësinë për posedim të kokainës dhe pasuri kriminale.

“Ky ishte një rrjet kriminal i mirëstrukturuar, ku askush nuk dyshonte se po hetohej. Ky dënim duhet të shërbejë si një paralajmërim i fortë për të gjithë ata që mendojnë se krimi familjar është i padukshëm.” – deklaroi hetuesi kryesor, Detektiv Jack Kraushaar. 

 

Poll