Në predikimin e tij të lexuar nga Kardinali Giovanni Battista Re, gjatë Vigjiljes së Pashkëve në Bazilikën e Shën Pjetrit, Papa Françesku nënvizoi se si “drita e Ringjalljes ndriçon rrugën tonë, hap pas hapi”, duke thyer errësirën e historisë dhe duke ndriçuar në zemrat tona.
Kardinali Re kryesoi Vigjiljen e Pashkëve në emër të Papa Françeskut, i cili ka kufizuar aktivitetet e tij publike ndërsa vazhdon të marrë veten nga problemet shëndetësore.
Para fillimit të festës, Papa bëri një vizitë të shkurtër në Bazilikën e Shën Pjetrit për të kaluar pak kohë në lutje dhe për të qenë pranë besimtarëve që mbërrinin në liturgjinë e Vigjiljes së Pashkëve që do të kremtohej pothuajse dy orë më vonë. Mbi pesë mijë besimtarë u mblodhën në Bazilikë dhe sheshin jashtë.
Në tekstin e homelisë për Vigjiljen e Pashkës, të lexuar nga kardinali Re, Françesku fton që “të bëhemi lajmëtarë të shpresës, ndërtues të shpresës ndërsa mbi ne fryjnë ende kaq shumë erëra vdekjeje”.
Sipas Atit të Shenjtë, besimtarët janë të thirrur të dëshmojnë shpresën “për ata që u mungon besimi në Zotin, për ata që kanë humbur rrugën, për ata që janë dorëzuar ose që janë përkulur nën peshën e jetës, për ata që janë vetëm ose të mbyllur në dhimbjen e tyre, për të gjithë të varfrit dhe të shtypurit e Tokës, për gratë e përulura dhe të vrara, për fëmijët që nuk kanë lindur kurrë dhe ata të keqtrajtuar, për viktimat e luftës”.








