Shtëpia e Bardhë dyshon se disa liderë europianë po luajnë një lojë të dyfishtë në prapaskenë, duke sabotuar përpjekjet për një armëpushim në Ukrainë. Sipas raportimit të medias amerikane Axios, figura të rëndësishme të administratës Trump janë të bindura se aleatë europianë po inkurajojnë Kievin të mos bëjë asnjë lëshim territorial, duke penguar kështu çdo progres real në tryezën e paqes.
Kjo vjen vetëm dy javë pas një takimi të cilësuar si “historik” mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, që megjithatë nuk solli ndonjë rezultat konkret. Tani, Trump po shqyrton seriozisht tërheqjen e plotë të SHBA-së nga negociatat, derisa “të paktën njëra palë të tregojë më shumë fleksibilitet.”
“Para kamerave mbështesin paqen, por në prapaskenë e sabotojnë”
Burimet e Axios raportojnë për një zhgënjim në rritje brenda administratës amerikane, ku disa vende europiane akuzohen se “flasin për paqe, por në prapaskenë bëjnë të kundërtën.” Sipas të njëjtave burime, Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Europa të ndërmarrë hapa më agresivë ekonomikisht kundër Rusisë – përfshirë ndalimin e plotë të importeve të gazit dhe naftës ruse, si dhe vendosjen e tarifave ndaj partnerëve strategjikë të Moskës, si Kina dhe India.
“Lufta vazhdon për shkak të kërkesave të papërballueshme të europianëve,” citohet një zyrtar i lartë amerikan. “Të mos presin që SHBA-të të vazhdojnë ta paguajnë çmimin.”
Franca dhe Britania, “konstruktive” – të tjerët jetojnë në një botë përrallash
Sipas burimeve, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar mbeten në “kampin konstruktiv”, ndërsa vende të tjera të BE-së akuzohen për “qasje jorealiste” dhe bllokim të zgjidhjes. “Për të arritur një marrëveshje, duhet të dish të bësh edhe lëshime,” u shpreh një zyrtar amerikan.
Trump, i zemëruar nga mungesa e progresit, ka deklaruar gjatë një mbledhjeje qeveritare: “Të gjithë po bëjnë sikur. Janë vetëm budallallëqe.” Ai ka theksuar se e vetmja mënyrë për zgjidhje është një takim ballë për ballë mes Zelensky-t dhe Putinit – ide që ende nuk ka gjetur mbështetje nga Kievi.







