
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka shprehur gatishmërinë për të zhvilluar një takim me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në një territor neutral – konkretisht në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Deklarata u bë gjatë një daljeje publike të Putinit në Kremlin, ku ai theksoi se ekzistojnë miq të përbashkët të gatshëm për të ndihmuar në organizimin e një takimi të tillë.
“Kemi shumë miq që janë të gatshëm të ndihmojnë për organizimin e kësaj takimi. Njëri prej tyre është presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe. Mendoj se do të vendosim, por ky mund të jetë një vend shumë i përshtatshëm,” tha Putin.
Takimi me Zelenskyn mbetet i largët: “Nuk ka kushtet e nevojshme”
Ndërkohë, kreu i Kremlinit nuk përjashtoi mundësinë e një takimi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, por theksoi se kushtet për një dialog të tillë janë ende shumë larg për t'u realizuar.
“Në parim, nuk kam asgjë kundër një takimi të tillë. Por për të ndodhur, duhet të krijohen kushtet përkatëse – dhe aktualisht ato nuk ekzistojnë,” tha Putin, duke nënkuptuar se tensionet midis Moskës dhe Kievit vazhdojnë të jenë një pengesë e madhe për çdo përpjekje drejt dialogut të drejtpërdrejtë.
Po përgatitet një samit Putin-Trump
Më herët gjatë ditës së enjte, këshilltari i presidentit rus, Yuri Ushakov, konfirmoi se Moska dhe Uashingtoni kanë rënë dakord për organizimin e një samiti në ditët në vijim, ku pritet të marrin pjesë liderët e të dy vendeve.
Sipas Ushakov, përgatitjet kanë nisur dhe java e ardhshme është caktuar si afat i mundshëm, ndonëse ende nuk është e qartë sa kohë do të marrin përgatitjet logjistike.
Trump sugjeron takim trepalësh me Putin dhe Zelensky
Një detaj interesant vjen nga bisedimet e zhvilluara të mërkurën, ku i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Steven Witkoff, propozoi organizimin e një takimi trepalësh mes Trump, Putin dhe Zelensky. Megjithatë, sipas Ushakov, Moska nuk ka komentuar ende mbi këtë propozim./Versus.al







