
Trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit u ndërpre sërish të hënën, pasi përplasja mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara mori një kthesë të re. Të dyja palët vendosën bllokada të veçanta, ndërsa anijet iraniane vazhduan të sfidonin kufizimet amerikane.
Vendimi i Teheranit për të rihapur përkohësisht këtë arterie jetike të tregtisë globale u tërhoq brenda pak orësh. Të shtunën u dha sinjali për hapje, por situata u përmbys shpejt, duke rindezur tensionet në prag të skadimit të armëpushimit, që pritet të përfundojë gjatë natës mes së martës dhe së mërkurës, sipas orës së Teheranit.
Irani justifikoi rikthimin e “kontrollit të rreptë” me bllokadën e vazhdueshme të porteve të tij nga SHBA-të. Edhe pse kishte shpallur rihapjen të premten, situata në terren mbeti e tensionuar. Dhjetëra anije arritën të kalonin përpara se ngushtica të mbyllej sërish, ndërsa Teherani paralajmëroi se çdo mjet lundrues që afrohej mund të konsiderohej objektiv.
Që nga e diela, vetëm katër anije kanë arritur të kalojnë në të dy drejtimet, sipas të dhënave të kompanisë së monitorimit detar Kpler. Mes tyre, anija “Nova Crest”, me flamur iranian dhe nën sanksione amerikane, u nis drejt Gjirit të Omanit. Ndërkohë, Irani lejoi kalimin e transportuesit të LNG-së “Axon I”, me destinacion Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi nuk binte nën bllokadën amerikane.
Një tjetër anije LNG, “G Summer”, kaloi të dielën në drejtim të kundërt dhe u identifikua më pas pranë Muscatit, pa u ndalur në portet iraniane. Ndërsa cisterna e naftës “Starway”, me flamur panamez dhe në pronësi kineze, ishte mjeti i katërt që arriti të përshkojë ngushticën.
Situata në det mbetet e tensionuar. Sipas ushtrisë amerikane, 27 anije janë urdhëruar të kthehen drejt porteve iraniane që nga fillimi i bllokadës. Disa mjete lundruese kanë ndryshuar kurs pas ndërhyrjes së forcave amerikane, përfshirë anijen “Shamim” dhe transportuesin “Artman”, të cilat u devijuan drejt portit Chabahar.
Ndërkohë, cisterna e LPG-së “Raine” u kthye mbrapsht drejt Ngushticës së Gjibraltarit, pasi ishte gati të dilte në det të hapur.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se anija kontejner “Touska” u ndalua me forcë pasi refuzoi të ndalonte, një zhvillim që rrit ndjeshëm rrezikun e përplasjeve direkte në ujërat më të rëndësishme për energjinë globale.
Pavarësisht një rihapjeje të shkurtër, pasojat janë të mëdha: mbi 750 anije tregtare mbeten të bllokuara në Gjirin Persik, mes tyre rreth 350 cisterna nafte dhe transportues LNG. Një nyje jetike e ekonomisë botërore po mbahet peng nga një krizë që çdo orë bëhet më e rrezikshme.

