BOTA /

Tragjedia / Babai zjarrfikës gjen të birin mes viktimave të aksidentit fatal (VIDEO)

Makina me pesë të rinj bie nga ura 15 metra e lartë në Sardenjë, një 25-vjeçar humb jetën, katër të plagosur rëndë

Shkruar nga Versus

Tragjedia / Babai zjarrfikës gjen të birin mes viktimave të

Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur në ishullin italian të Sardenjës, ku një 25-vjeçar i quajtur Omar Massia humbi jetën tragjikisht pas një aksidenti automobilistik që ka shokuar të gjithë komunitetin lokal.

Makina në të cilën udhëtonin pesë të rinj, që po shkonin drejt një feste, doli nga rruga për shkaqe ende të paqarta dhe u rrëzua nga një urë rreth 15 metra e thellë, në zonën Tempio Pausania.

Pamjet e vendngjarjes ishin skena tmerri. Automjeti i shkatërruar përfundoi në fund të një përroi, ndërsa ekipet e shpëtimit punuan për orë të tëra në errësirë dhe terren të pjerrët për të nxjerrë trupat e të rinjve të bllokuar brenda.

Tragjedia mori një kthesë edhe më të dhimbshme kur babai i viktimës, një zjarrfikës lokal, mbërriti i pari në vendngjarje me ekipin e emergjencës, pa e ditur se mes viktimave ndodhej djali i tij. Vetëm pasi ekipet e shpëtimit arritën te makina, ai e kuptoi se i riu i pajetë ishte i biri, 25-vjeçari që kishte dalë atë mbrëmje për të festuar me miqtë.

Sipas mediave italiane, shoferi i automjetit, që doli i gjallë nga makina, arriti të kërkojë ndihmë në një shtëpi aty pranë, pasi në zonë mungonte sinjali telefonik. Ai u gjet në gjendje shoku dhe me plagë të shumta.

Katër të rinjtë e tjerë u transportuan në spital me plagë të rënda, ndërsa autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të aksidentit.

Policia po verifikon nëse shpejtësia e lartë, lodhja ose kushtet e rrugës mund të kenë qenë faktorë që çuan në tragjedinë që ka lënë pa fjalë Sardenjën./ Versus

Poll