
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka zhvilluar një bisedë telefonike rreth 90-minutëshe me presidentin amerikan, Donald Trump, ku në fokus ishte lufta në Ukrainë dhe mundësitë për t’i dhënë fund konfliktit.
Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, kjo ishte biseda e katërt mes dy liderëve gjatë këtij viti. Kremlini bëri të ditur se Putin e uroi Trumpin dhe popullin amerikan me rastin e 250-vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, ndërsa e cilësoi komunikimin si “konstruktiv”.
Në deklaratën zyrtare thuhet se Donald Trump ka rikonfirmuar gatishmërinë e tij për të ndihmuar në arritjen sa më të shpejtë të një armëpushimi dhe përfundimin e luftimeve në Ukrainë.
Putin ka theksuar se Moska mbetet e angazhuar për një zgjidhje politike dhe diplomatike të konfliktit, duke akuzuar Kievin dhe aleatët evropianë se po favorizojnë vazhdimin dhe përshkallëzimin e luftës.
Presidenti rus ka deklaruar gjithashtu se forcat ruse po avancojnë në vijën e frontit, duke e paraqitur situatën ushtarake si të favorshme për Moskën.
Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar ende mbi përmbajtjen e bisedës mes dy presidentëve.
Ndërkohë, edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Donald Trump, të cilën e cilësoi shumë të mirë. Zelensky u shpreh se ekziston një mundësi reale për t’i dhënë fund luftës, duke theksuar se vendosmëria e Shteteve të Bashkuara mbetet faktor kyç në këtë proces./Versus.al

